Holanda gjelbëron edhe stacionet e autobuzëve, nisma pushton Gjermaninë

0
96
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kundër zhdukjes së llojeve, kundër grimcave të ajrit dhe për një klimë më të mirë Utrechti ka shpallur luftë dhe do të ndryshojë diçka. 316 stacione autobusësh janë gjelbëruar për bletët, buburrecat e të tjera insekte.

Nga Deutsche Welle

Administrata e qytetit holandez ndërmori një nismë në dukje të thjeshtë, por që është mjaft efikase: Kjo i ka gëzuar jo vetëm insektet e rrezikuara të zhduken, por edhe qytetaret e qytetarët në Utrecht. Interesi për projektin është i madh nga mbarë bota, edhe shumë qytete gjermane po e ndjekin këtë model.

Në një sipërfaqe afërsisht gjashtë metra katrorë në strehat e stacioneve të autobusëve rriten bimë, që konsiderohen si të qendrueshme. Ato kanë nevojë për diell për pak ujë dhe mund të përballojnë edhe temperaturat nën zero me minus përgjatë dimrit. Një oaz i gjelbër në të cilin mund të gjejnë qetësi insekte të të gjitha llojeve.

Mirëmbajtja e stacioneve të zakonshme të autobusëve kushton rreth 2000 Euro në vit, ndërsa për ato të gjelbëruara duhen edhe 200 Euro më shumë. Pra 10 përqind kosto më tepër, por prej kësaj pritet të arrihet shumë, na thotë Rolf van Laere, kujdestar i stacioneve të autobusëve: “Grimcat e ajrit thithen, e meqënëse këto bimë në përgjithësi lulëzojnë nga prilli deri në shtator, ka edhe mjaft ushqim për bletët e të tjera insekte”.

Stacionet e autobusit si shtëpiza

Gjelbërim, shëndet dhe inteligjencë” – ky është slogani i vetëdijshëm i qytetit Utrecht, dhe administrata e vlerëson me shumë seriozitet këtë slogan. Rezultati është: 316 stacione autobusi që të japin kënaqësi si shtëpiza prej metali e xhami të gjelbëruara.

Njerëzit në Utrecht janë të entuziazmuar., sikurse shprehet një qytetar: “Eshtë një ide e mirë, që hapësira publike të përdoret në mënyrë efikase për mjedisin.” Por edhe një tjetër qytetare thekson: “Unë mendoj, që njerëzit me këtë do të bëhen më të vetëdijshëm për mjedisin dhe do ta kuptojnë, se çfarë hapash të vegjël mund të kontribuojnë për një ndryshim.”

Yjet e Instagramit

Teksa bimët në korrik lulëzonin shumëngjyrëshe stacionet e autobusëve të Utrechtit u kthyen në yje të Instagramit – e tashmë kanë gjetur pasues: Ndërkohë ka kërkesa nga e mbarë bota, nga Australia deri në Meksikë e po ashtu edhe nga Ukraina e Gjermania.

Në Utrecht janë krenarë për këtë rol paraprijës dhe tashmë ka nisur të mendohet edhe më tej: Gjelbërimi i çative nuk do të kufizohet vetëm në stacionet e autobusëve. Maurice Prijs nga bashkia e Utrechtit vë në dukje: “Ne kemi krijuar një fond të vogël mbështetjeje financiare për personat privat dhe ndërmarrjet për të mbjellë sipërfaqet. Ata mund të bashkëpunojnë me fqinjët dhe të ndërmarrin diçka të tillë së bashku.”

Frikë nga pikckimi i bletëve s’duhet të ketë askush në Utrecht. Udhëtarët qëndrojnë poshtë, ndërsa bletët gëlojnë sipër. Secili ka vendin e vet. Me këtë qyteti holandez, Utrechti tregon: se ndonjëherë edhe një ide e vogël mund të ketë efekt të madh.

Zjarr Tv Ad