Partia Demokratike zhvilloi sot homazhet e 20 vjetorit në nder të Dëshmorit të Kombit, Azem Hajdari, liderit të Lëvizjes së Dhjetorit, që përmbysi diktaturën komuniste.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësuesit e lartë të Partisë Demokratike, si kryetari Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, deputetët dhe ish-deputetë të selisë blu.
Vajza e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari në fjalën e saj në këtë ceremoni përkujtimore u shpreh se i ati i saj e nisi rrugëtimin e tij politik kur ishte fare i ri.
Sipas deputetes së PD, ato që realizoi Azem Hajdari në 7 vjet, njerëz të tjerë nuk mund ti realizojnë dot as në 7 jetë.
“Azem Hajdari ishte fare i ri kur nisi rrugëtimin e tij politik për të mposhtur komunizmit. Ai në 7 vjet realizoi ato që njerëzit e tjerë nuk do të mund ti realizonin në shtatë jetë. Arsyeja pse Azem Hajdari e mposhti komunizmin, ishte se komunizmi nuk kishte as respekt Atdheun dhe as për familjen”, u shpreh Rudina Hajdari.