Horror në Afganistan, kamikazi hedh në erë sallën me dasmorë

0
106
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ajo që duhet të ishte dita më e lumtur për një çift dhe të afërmit e tyre në Afganistan është kthyer në një tragjedi të vërtetë.

Shpërthimi i një bombe në një sallë në Kabul ku po zhvillohej ceremonia e një dasme ka vrarë 63 persona dhe ka plagosur më shumë se 180 të tjerë.

Dëshmitarët i thanë BBC-së një kamikaz shpërtheu eksploziv gjatë një ceremonie martese.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 22:40 të ditës së shtunë me kohën lokale në një zonë në perëndim të qytetit, të populluar kryesisht nga muslimanët shiitë.

Talibanët mohuan që ata ishin mbrapa sulmit. Asnjë grup tjetër nuk e ka pranuar kryerjen e sulmit vetëvrasës.

Militantët muslimanë sunitë, përfshirë Talibanët dhe grupin e Shtetit Islamik, kanë synuar vazhdimisht pakicat Shia Hazara në Afganistan dhe Pakistan.

Ministria e Brendshme afgane konfirmoi numrin e vdekjeve pak orë pas bombardimit.

Fotografitë e publikuara në mediat sociale treguan trupa të shpërndarë nëpër sallën e dasmave mes karrigeve dhe tryezave të përmbysura.

Dasmat në Afganistan shpesh përfshijnë qindra të ftuar që mblidhen në salla të mëdha, ku burrat zakonisht ndahen nga gratë dhe fëmijët.

Një i ftuar në dasmë tha se kishte qenë në seksionin e grave kur dëgjoi një shpërthim të madh në zonën e burrave.

“Të gjithë vrapuan jashtë duke bërtitur dhe duke qarë,” i tha ai agjencisë së lajmeve AFP.

“Për rreth 20 minuta salla ishte e mbushur me tym. Pothuajse të gjithë në sektorin e burrave janë të vdekur ose të plagosur. Tani, dy orë pas shpërthimit, ende po trasnportohen trupa jashtë sallës.”

Një kamerier në sallë, Sayed Agha Shah, tha se “të gjithë po vraponin” pas shpërthimit.

“Disa nga kamerierët tanë u vranë ose u plagosën,” shtoi ai.

Një zëdhënës i Talibanëve tha se grupi “dënoi me forcë” sulmin.

“Nuk ka asnjë arsyetim për vrasje të tilla të qëllimshme dhe brutale të grave dhe fëmijëve,” tha Zabiullah Mujaheed në një mesazh me tekst për median.

Shpërthimi i fundit vjen vetëm 10 ditë pasi një bombë e madhe jashtë një stacioni policie në Kabul vrau të paktën 14 njerëz dhe plagosi afro 150.

Talibanët morën përgjegjësinë e sulmit.

Të premten,vëllai i udhëheqësit të talebanëve Hibatullah Akhundzada u vra nga një bombë e vendosur në një xhami pranë qytetit pakistanez të Quetta.

Asnjë grup deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë e sulmit.

Zjarr Tv Ad