Hoti nis detyrën si Kryeministër, homazhe te varri i Rugovës

0
27
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Avdullah Hoti ka nisur punën e tij si kryeministër i qeverisë së Kosovës pa e marrë stafetën e pushtetit nga paraardhësi i tij, Albin Kurti. Në mbledhjen e parë me kabinetin, Hoti shpalosi prioritetet. Opozita përsërit se ekzekutivin e ka realisht në dorë presidenti Thaçi.

Kryeministri i ri, Avdullah Hoti, ka marrë formalisht udhëheqjen e qeverisë së Kosovës.

Me parakalimin para gardës, ceremonia e dorëzimit të pushtetit u bojkotua të enjten nga paraardhësi, Albin Kurti, dhe ish-ekipi i tij qeveritar.

Kurti një ditë më parë e quajti të paligjshëm mandatimin e politikanit të LDK-së, i cili mori 61 nga 120 votat e mundshme të parlamentit.

Në mbledhjen e parë të kabinetit, Hoti bëri të njohura prioritetet e tij.

“Prioritetet tona janë, përveç luftës kundër kësaj pandemie dhe rimëkëmbjes ekonomike, forcimi i shtetit ligjor, fuqizimi i miqësive tona me partnerët tanë ndërkombëtar, marrje përsipër në baza kushtetuese të procesit të dialogut, adresimi i nevojave në arsim, në shëndetësi…”

Hoti u kthye në qeveri dy muaj pasi Kurti e shkarkoi nga posti i zëvendëskryeministrit pse ndihmoi në rrëzimin e qeverisë së mëparshme më 25 mars.

Në Kosovë, aktorët politikë i frikësohen brishtësisë numerike që LDK-ja me aleatët kanë në Kuvend.

Krerët e Lidhjes Demokratike thonë se do ketë një standard të ri në marrëdhëniet pozitë-opozitë.

Nga Lëvizja Vetëvendosja, deputetja Mimoza Kusari Lila deklaroi në parlament se ekzekutivi aktual nuk do ishte i mundur pa ndërhyrjet e presidentit, Hashim Thaçi.

Kuvendi i Kosovës u mblodh të enjten për të formuar një komision parlamentar që do hetojë menaxhimin e pandemisë së koronavirusit nga ish-qeveria Kurti, pasi palët kanë dyshime se janë keqpërdorur paratë publike.

Pas marrjes së detyrës kryeministri Avdullah Hoti bëri homazhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova. Sëbashku me kabinetin e tij vunë kurora me lule te varri i Presidentit Rugova.

Sfidat- Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti, sipas analistëve politikë në Kosovë do të përballet me presion e sfida të mëdha, si në rrafshin e brendshëm po ashtu edhe atë të jashtëm.

Analistët konsiderojnë se për shkak të brishtësisë së numrave në kuvend dhe përbërjes së koalicionit, ajo do të jetë në presione të vazhdueshme.

Qeverinë e re e Kosovë e përbën koalicioni qeverisës ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Listës Serbe dhe partive të komuniteteve të tjera.

Zjarr Tv Ad