Hoxhaj tregon me kë do të bëjë koalicion PDK pas 6 tetorit, i përgjigjet dhe Haradinaj

0
6

Partitë politike në Kosovë janë drejt fundit të fushatës elektorale, teksa qytetarët kosovarë do t’u drejtohen kutive të votimit me 6 tetor për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka drejtuar për vite shtetin me të ri në Ballkan, si karta të veta elektorale në këtë fushatë ka Paktin Kundër Korrupsionit por edhe pastrimin e saj nga të inkriminuarit.

E ndërsa Ramush Haradinaj i AAK-së është mosbesues në seriozitetin e PDK për të luftuar korrupsionin , kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka këtë përgjigje.

Enver Hoxhaj: Kemi bashkëqeverisur me Haradinaj dhe PDK është një parti që ka një trashëgimi të madhe politike. Kur kemi ardhur në pushtet në 2007 kemi premtuar se do të ndërtojmë autostrada në Kosovë, spitale, shkolla, do rrisim pagat për administratën. Shumë ishin skeptikë atëherë. PDK ka bërë hapa konkret në këto drejtime. Dhe këtë premtim do ta bëjmë realitet sapo zoti Kadri Veseli të bëhet Kryeministër.

Në një lidhje me skype për Ora News, Hoxhaj vlerësoi edhe listën e kandidatëve me të cilët garon PDK.

Enver Hoxhaj: Lista zgjedhore është prej listave më të pastra. Lista jonë nga 110 kandidatë, 658 garojnë për herë të parë dhe vinë nga shtresa të ndryshme. Nuk ka listë më të kompletuar. Ekipi i Veselit është nga ekipet më të mira që mund të ketë një parti politike.

Sa i takon koalicioneve pasgjedhore, Hoxhaj thotë se parësore është që PDK të fitojë zgjedhjet.

Enver Hoxhaj: Ne kërkojmë të krijojmë koalicion me qytetarët e Kosovës. Pas fitores tonë me 6 tetor do të bëjmë koalicion me ato parti që kemi përputhje programore me ne.