Humb jetë në Siri një grua nga Kosova

0
45
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kanë hapur dyert e mortit për t’i pritur njerëzit që po ngushëllonin për vdekjen e vajzës së tyre, Filloreta Kastrati. Varr për të e as njoftim të vdekjes familja e saj nuk kishte vënë askund në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës. Kjo ngase trupi i Filloretës ka mbetur në zonat e luftës së Shtetit Islamik (IS), të cilit ajo i ishte bashkuar vite më parë.

Në vatrat e konfliktit, Filloreta ka lënë dy fëmijë, njërin 5 e tjetrin 3 vjeç. Ata për momentin janë shëndosh.

Por si nisi e gjithë historia e Filloretës në Shtetin Islamik.

Ajo para disa viteve ishte martuar me një bashkëvendës të sajin nga po e njëjta komunë, për të vazhduar bashkë me të e familjen për në Shtetin Islamik (IS). Burri i saj vritet pas një kohe të qëndrimit atje.

Që nga ajo kohë, Filloreta, edhe pse ishte në zona të rrezikshme ku po zhvillohej luftë e ashpër, bashkë me dy fëmijët e saj, njërin 5 vjeç e tjetrin 3, vazhdimisht kishte arritur që ta kontaktonte familjen, prej të cilëve kërkonte ndihmë që të kthehej në Kosovë.
Ajo kontakt me familjen kishte pasur deri një ditë para se të vritej.

Gazeta Express ka qëndruar në familjen e së ndjerës në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës ku ka biseduar me babanë e saj, Lulzimin.

Ai ka treguar se lajmin për vdekjen e vajzës e ka marrë nga një grua tjetër, e cila gjendet në Shtetin Islamik. Prindi i saj thotë se ka pasur kontakt me vajzën e tij disa herë.
Ajo u tregonte se është shëndosh bashkë me dy fëmijët e saj dhe se vazhdimisht kishte kërkuar që të kthehej në Kosovë.

“Një natë para se me marr lajmin për vdekjen e saj ne kemi shkrujtë me të. ‘Babi janë rregullu senet, ishalla po na kthejnë’, na thoshte. Unë kam pasë shumë shpresa që ajo po kthehet, mirëpo që, të nesërmen na lajmëruan”, tregon babai i së ndjerës.

Ai thotë se për vdekjen e vajzës është njoftuar nga një shoqe e saj që gjendet, po ashtu, në zonat e konfliktit.

Lulzimi, babai i Filloretës së ndjerë, i cili për 30 vjet ka ushtruar profesionin e mësimdhënësit, ka sqaruar për Express se vajza e tij në momentin e vdekjes bashkë me dy fëmijët e saj, kishte qenë duke shkuar në një vend më të sigurt të Shtetit Islamik.

“Për vdekjen e Filloretës më tregoi një shoqe e saj. E dimë se atë kanë pasë me e dërgua në një vend më të sigurt. Dhe me gjasa ka qenë ofensiva e fundit atje edhe e ka rrokë këtë. Kur i ka vdekur burri, dëshira e saj ka qenë për me u kthy në Kosovë”, ka rrëfyer tutje ai.

E fëmijët e së ndjerës ende gjenden në Shtetin Islamik dhe momentalisht janë të sigurt.
“Fëmijët kanë mbetë atje. I ka një familje tjetër. Ne po shpresojmë vetëm që fëmijët të kthehen. Ata janë në moshën 5 dhe tre vjeç”, shprehen familjarë të Filloretës së ndjerë.

E për gjithë këtë punë ka qenë në njohuri Policia e Kosovës si dhe organizatat e ndryshme në vend që merren me personat që janë në IS.

“Të gjitha shënimet për këtë punë ia kemi dhënë policisë. Veç me u bo zog me shku me fluturu se tjera mundësi për këtë rast ne nuk po kemi”, vazhdon babai i Filloretës.

E, e vetmja shpresë për familjen e saj, tashmë janë dy fëmijët e saj që kanë mbetur në zonat e konfliktit. Familja është duke tentuar që fëmijët t’i kthejë në Kosovë. Ajo në javët në vazhdim planifikon që ta kërkojë ndihmën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK). Ndërsa Kryqi i Kuq është deklaruar për mediat se është i gatshëm të ndihmojë në kthimin e personave të cilët ende gjenden në vatrat e luftës në Siri, në kohën kur grupi militant, Shteti Islamik (IS), tashmë ka humbur çdo territor që kishte nën kontroll. Kjo organizatë asiston në lehtësimin e procesit të riatdhesimit apo ribashkimit me familjet jashtë vendit me pëlqimin e të gjithë personave dhe palëve të përfshira.
Ndërkohë, më shumë se 150 burra, gra dhe fëmijë nga Kosova ende janë në vatrat e luftës. Këtij numri i shtohen edhe 60 fëmijë të tjerë të cilët kanë lindur në vitet e fundit dhe të cilët së paku njërin nga prindërit e kanë me shtetësi të Kosovës.

Prej se ka filluar lufta në Siri, në periudha të ndryshme, një numër i madh i kosovarëve që luftuan krah grupit militant IS dhe grupeve të tjera të shpallura terroriste, u kthyen në Kosovë.

Nga të dhënat e autoriteteve kosovare rezulton se të kthyerit janë kryesisht meshkuj.
Sipas Policisë së Kosovës, numri i personave të kthyer në Kosovë ose edhe në vendet tjera prej nga kanë udhëtuar është 132, përfshirë këtu 120 meshkuj, 6 gra dhe 6 fëmijë.
Numri i kosovarëve që u bënë pjesë e luftës së Sirisë filloi të rritet në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013.

Numri i personave të vdekur në zonën e konfliktit është 79, prej të cilëve 76 persona të gjinisë mashkullore të vrarë, ndërsa tre persona, përfshirë këtu një person i gjinisë mashkullore, një person i gjinisë femërore dhe një fëmijë i lindur në zonën e konfliktit raportohet të kenë vdekur nga shkaqe natyrore.

 

 

Zjarr Tv Ad