Ministria e Arsimit ka vendosur t’i heqë licensën kopështit “Flatrat e Dijes” në qytetin e Fierit ku disa javë më parë humbi jetën një 3-vjeçare në rrethana ende të panjohura plotësisht.
Dyshimet janë të forta që ai është mbytur në një kohë kur edukatorja, Redina Binjaku nuk ishte e pranishme në dhomë . Kjo e fundit është arrestuar dhe është lënë në burg për 30 ditë.
Ditën kur duhej të dilte para gjykatës, rreth 3 javë më parë, Binjaku vendosi të shkruajë një letër për ngjarjen e rëndë. Në letrën që 27 vjeçarja ka shkruar thotë se për shkak të gjendjes së saj të rënduar psikologjike nuk mund të paraqitet në gjykatë, ndaj u përfaqësua nga avokati i saj.
“Unë shtetasja Redina Binjaku mora njoftim për seancën gjyqësore të datës 11.01.22 ora 10:00. Në radhë të parë dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së të miturit Noah Kodheli. Jam shumë e ngarkuar psikoligjikisht prej situatës në të cilën ndodhem. Për këtë shkak nuk mund të marr pjesë në seancën për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal. Kërkoj të përfaqësohem nga avokati im personal Ylli Asimetaj, anëtar I dhomës së avokatisë Fier”, shkruan ajo në letrën bashkë me firmën në fund.
Familja e 3-vjeçarit që humbi jetën në një kopsht privat në Fier, u mblodhën pas ngjarjes së rëndë përpara Prokurorisë duke kërkuar drejtësi. Ata thonë se është e papranueshme, që ende pa u zbardhur ngjarja kopshti Flatrat e Dijes të qëndrojë i hapur për fëmijët e tjerë.
Rikujtojmë se 3-vjeçari Noah u dërgua me të nxira në qafë drejt spitalit të Fierit, sipas mjekëve i pajetë.
“Më kanë marrë mua të parën në telefon dhe më kanë thënë është mbytur me litar të bluzës dhe më kanë thënë është në gjendje të mirë dhe është përmendur dhe kur unë kam vajtur në spital më kanë thënë është në sallë të operimit.
Në momentin që unë u kam thënë pse është futur në sallën e operimit, doktori ka ardhur dhe më ka thënë se fëmija ka ardhur pa jetë”, tha nëna Donalda Kodheli pas ngjarjes së rëndë.
“Ai vend ku ata thonë që është mbytur, është 60 metra i lartë, ndërkohë që fëmija është 80-90 centimetra. Ne shkuam dhe pamë vendin ku ndodhi ngjarja. Ne jemi shokuar të gjithë”, u shpreh daja i viktimës Durim Kaja ne atë kohë para Prokurorisë.