Humbin jetën 3 persona nga COVID19, 144 raste të reja në 24 orët e fundit

0
9

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitivë me koronavirus 144 persona. Keshtu numri i te infektuarve qe nga fillimi i pandemise ka shkuar ne 11816.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave anti-COVID për të frenuar përhapjen e infeksionit.

Ruani distancën fizike, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente të mbyllura dhe kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.

Mos e ulni vigjilencën, virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm nëse zbatojmë çdo ditë rregullat e vendosura.

Situata në spitale vijon të jetë e qëndrueshme. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 174 pacientë, 16 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me COVID19 një 57 vjeçar nga Lushnja dhe një 74 vjeçar dhe një 83 vjeçar nga Tirana. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Janë kryer në 24 orët e fundit 824 testime dhe janë konfirmuar 144 qytetarë të prekur me COVID19.
Rastet ditore të identifikuara si rezultat i gjurmimit, testimit dhe hetimit epidemiologjik janë si vijon :
55 raste në Tiranë, 15 në Fier, 10 në Elbasan, 9 në Vlorë, nga 7 raste në Durrës, Kurbin, Divjakë, Gramsh, 6 në Korçë, 5 në Lushnje, nga 3 raste në Shkodër, Pogradec, Delvinë, nga 2 raste në Krujë, Përmet, nga 1 rast në Kavajë, Berat, Gjirokastër.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 65 qytetarë, duke e çuar në 6733 që nga fillimi i epidemisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju kujton të mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe në çdo rast të kontaktoni urgjencën kombëtare në numrin 127, kur dyshoni se jeni i prekur nga Sars-Cov2.

Qëndroni në kontakt me mjekun e familjes dhe për çdo informacion të sigurt rreth koronavirusit, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40, të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.