Hysaj gradohet kapiten: Vijmë me qejf në kombëtare, boll sulmeve nga pas kompjuterit

0
35
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Elseid Hysaj do të jetë kapiteni i kombëtares shqiptare në takimin mes Shqipërisë dhe Islandës, programuar për tu luajtur nesër në “Elbasan Arena”.

Vendimi i trajnerit, Edi Reja për të lënë në stol Mërgim Mavraj gradoi shkodranin si kapiten.

Mbrojtësi i Napolit doli në konferencën për shtyp përpara takimit ndaj Islandës, teksa u shpreh se djemtë janë të përgatitur për të luajtur këtë 90 minutësh. Ndërkohë, kërkoi se çdokush gabon, por u shpreh se nuk është dakord me ato sulme që vijnë nga pas kompjuterit.

“Të gjithë çunat vijnë këtu me qejf, për të luajtur me fanellën e Shqipërisë dhe për të dhënë më të mirën. Ndeshjet zgjatin 90 minuta dhe çdokush gabon minimalisht njëherë, por nuk jam dakord me ato sulme që vijnë nga pas kompjuterit. Ne nuk vijmë këtu për lekë, por për të dhënë maksimumin dhe këtë bëmë edhe në Francë. Nuk është dramë të humbësh me Francën, pasi 2-3 lojtarë të saj vlejnë më shumë se të gjithë ne.

Shiriti? Unë jam i kënaqur që të mbaj shiritin, pasi është nder dhe përgjegjësi për mua, që të përfaqësoj vendin tim si kapiten. Besoj se në disa raste kam sjellë edhe fat, pasi kemi marrë fitore. Besoj se do t’ia dalim edhe këtë herë. Nesër besoj se do të arrijmë të shprehemi mirë dhe të marrim maksimumin. Kam besim te skuadra dhe jemi të karikuar për të dhënë më të mirën. Dihet që do të jetë një ndeshje e vështirë, por e gjithë skuadra ndjen se është momenti ynë nesër dhe se jemi gati të bëjmë një ndeshje shumë të bukur, për të marrë edhe fitoren.

Kosova? Unë Kosovës i uroj shumë suksese. Ata kanë brenda zjarrin që patëm ne kur arritëm të shkojmë në Europian dhe u uroj që të vazhdojnë kështu”.-përfundoi Hysaj.

Takimi mes Shqipërisë dhe Islandës do të luhet mbrëmjen e së martës në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 20:45.

Zjarr Tv Ad