Ish-deputeti socialist Alqi Bllako, i arrestuar për aferën e inceneratorëve, ka kërkuar lirinë me pretendimin se ai nuk është i rrezikshëm dhe se nuk i shmanget hetimit, të nisur ndaj tij.
Bllako ka ankimuar vendimin që e ka lënë në burg, ndërsa kjo lëvizje e tij vjen pak ditë pasi u mor në pyetje nga SPAK. Ish-deputeti ka depozituar sot në Apelin e GJKKO kërkesën për ndryshimin e masës së arrestit.
Rikujtojmë se Bllako akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, lidhur lidhje me aferën e inceneratorit të Fierit. Referuar dosjes, Prokuroria e Posaçme kërkoi arrestimin e deputetit të Partisë Socialiste Alqi Bllako me dyshimin se ka marrë në formë rryshfeti 150 milionë lekë për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.
Sipas hetimeve këtë shumë parash, deputetit socialist e ka marrë nga kompania “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. duke paguar fiktivishit babain e tij Edmond Bllako, që rezulton i punësuar në Inceneratorin e Tiranës.
SPAK akuzon gjithashtu Bllakon se ka falsifikuar dokumentat për inceneratorin e Fierit në kohën kur mbante detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin, Lefter Koka dhe kryetarin e komisionit të shpronësimeve Pëllumb Abeshi .
Ata kanë ndryshuar destinacionin e sipërfaqes së tokës ku u ndërtua inceneratori nga tokë arë në tokë truall duke i shkaktuar një dëm ekonomik buzhetit të shtetit prej 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë.”
Gjithashtu si prova të reja SPAK ka paraqitur edhe tre udhëtime që ish deputeti ka bërë ne kohë të ndryshme me biznesmenin Klodian Zoto që ka fituar koncesionarin e Fierit. Ndërkohë ish-deputeti ka mohuar akuzat e SPAK, se është i përfshirë në këtë aferë.
Në deklaratën e tij Bllako ka thënë se procedura për dhënien me koncesion të inceneratorit është bërë nga komisioni i ngritur në Ministrinë e Mjedisit, e nuk ka pasur asnjë funksion vendimarrjeje, duke shtuar se detyra e tij ka qenë vetëm që t’ja përcjellë shresën Këshillit të Ministrave për Miratim.
Për punësimin e babait të tij fiktivisht në incineratorin e Tiranës, ish deputeti ka thënë se kontrata për punësimin e tij nuk është firmosur nga Klodian Zoto, por nga ana e administratorit talian. Dëshmia e Bllakos do administrohet dhe do futet në fashikujt e dosjes hetimore.