Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike Arben Ristani komentoi marrjen në pyetje të kreut të PD Lulzim Basha nga prokurorët belgë ditën e djeshme në Tiranë, në lidhjen me dosjen Toyota Auris.
Ai tha në një intervistë në “ABC News” se kryedemokrati Basha nuk shkon dot në SHBA për shkak të dosjes për pastrim parash, ku shtoi se pas belgëve, ai mund do të merret në pyetje edhe nga prokurorët amerikanë.
“Basha është bërë si fëmijët mistrecë që i bien me çokë të tjerët për gabimet që bën. I bie Rama, Berisha, Meta, drejtësia amerikane se nuk shkon dot në Amerikë për çështjen që ka atje. Është e mundshme që të vijnë edhe prokurorë amerikanë për ta marrë në pyetje. Ka pasur një dëshmi të lobuesit të kontraktuar nga Basha që ka marrë 500 mijë dollar në dorë. Në atë kohë nuk ishte dëshmi para trupës gjyqësore. Aktualisht është dëshmi para trupës gjyqësore. Për shkak të hetimeve dëshmia është dhënë edhe para organeve gjyqësore.
Kemi konfirmimin që Basha i ka dhënë këto para. Kjo çështje është në hetim dhe është në përfundim e sipër. Nga ana tjetër është hetimi i prokurorëve belgë. Pavarësisht se nuk merr një jehonë të plotë në media, Bashën e kanë thirrur 5-6 herë. Ata kanë kërkuar thirrjen me forcë në Shqipëri. Ka një numër të shumtë thirrjes ndaj Bashës para se të vijmë tek e djeshmja. Drejtësia vepron me letërporosi. I porositi kolegët e vet në shtetin tjetër dhe i thotë për llogarinë time ndiqni këtë. Pse nuk vepruan me letërporosi? Pse u detyruan të vijnë vetë. Pas shumë thirrjesh ata kanë kërkuar edhe thirrjen me forcë. Dhe dje erdhën edhe vetë”, u shpreh Ristani.