I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin, do të mbërrijë ditën e nesërme në Tiranë.
Ai do të zhvillojë takime kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe përfaqësues të opozitës. Gjithashtu ai do të takohet edhe me disa deputetë të Kuvendit, ku pritet të diskutohet mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE, “Ballkanin e Hapur” dhe luftën në Ukrainë.
“Për mua është shumë e rëndësishme që fill pas marrjes së detyrës si i Dërguari i Posaçëm i qeverisë gjermane të vizitoj personalisht të gjitha vendet e rajonit. Me këtë dua të bëj të qartë se Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe perspektiva e anëtarësimit në BE për të gjithë rajonin janë të një rëndësie strategjike për Gjermaninë. Kjo ka prioritet të lartë.
Qeveria Federale po angazhohet me gjithë forcën e saj për nisjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe vendimtare për stabilitetin në rajon dhe rrjedhimisht edhe për Evropën”, tha ai para vizitës.