Temperaturat e acarta dhe moti i ftohtë që ka përfshirë mbarë globin, ka bërë që 12 persona të humbin jetën në Poloni. Ndërkohë, në Turqi e Shtetet e Bashkuara, mijëra fluturime janë anulluar për shkak të kushteve ekstreme, ndërkohë që disa shtete amerikane kanë shpallur edhe gjendjen e emergjencës. I ftohti ka përfshirë edhe Japoninë, por banorët në Tokio kanë sfiduar temperaturat e ulëta për të marrë pjesë në ritualin tradicional të pastrimit të shpirtit.
I ftohti ekstrem që ka përfshirë mbarë botën, ka shkaktuar vdekjen e 12 personave në Poloni që prej fillimit të vitit. Sipas policisë, vdekjet janë pasojë e aksidenteve në trafik, teksa dëbora e madhe dhe temperaturat e acarta kanë bërë që rrugët të ngrijnë. Veçanërisht vulnerabël në këtë situatë, janë personat e pastrehë, disa prej të cilëve janë gjetur të pajetë në rrugë. Autoritetet polake po sigurojnë tashmë shërbime të shtuara për këtë kategori, për të shmangur sa më shumë ekspozimin e tyre ndaj motit ekstrem. Temperaturat në vend kanë arritur deri në -21 gradë Celsius.
Edhe Turqia është përfshirë nga një valë e të ftohtit dhe një stuhi dëbore ka detyruar anullimin e qindra fluturimeve si dhe mbylljen e shumë rrugëve detare, ndërkohë që rrugët e rrezikshme i kanë lënë shoferët të bllokuar përgjatë gjithë natës në Stamboll. Bora ka arritur një trashësi prej 40 cm në disa pjesë të qytetit. Sistemi nëntokësor i trenit ka qenë funksional gjatë natës, ndërkohë që janë regjistruar dhjetëra aksidente për shkak të rrëshqitjes së makinave.
Një stuhi dëbore dhe shiu ka vijuar të paralizojë jugun e Shteteve të Bashkuara, teksa rajoni është përballur me një situatë meteorologjike të pazakontë. Bora 20 cm e trashë shkaktoi bllokim të trafikut dhe mbylljen e shkollave, ndërkohë që Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se Bregu Lindor do të përfshihej nga stuhi të tjera. Sipas mediave amerikane, të paktën 4 persona kanë vdekur për shkak të problemeve lidhur me motin, ndërkohë që mijëra fluturime tashmë janë anuluar apo shtyrë. Disa shtete kanë shpallur edhe gjendjen e emergjencës.
Sakaq, në Japoni, 100 persona janë mbledhur në një faltore në Tokio, duke sfiduar temperaturat e ulëta. Ata morën pjesë në ritualin e përvitshëm Shinto, duke u larë në ujë të akullt për të pastruar shpirtërat e tyre, me dëshirën e shëndetit të mirë në këtë vit të ri. Rituali i përvitshëm, tashmë në vitin e 62-të të organizimit, u mbajt nën qiejt me re dhe temperatura rreth 2 gradë Celsius, të cilat sipas organizatorëve, janë ndër më të ftohtat në këto dekadat e fundit.///