I ftohti pushton vendin, probleme në Pukë, Fushë Arrëz dhe Dibër, bllokohen disa zona

0
875
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Vala e motit të ftohtë dhe me reshje dëbore që ka përfshirë gjithë vendin ka vazhduar të shkaktojë probleme edhe gjatë ditës së sotme, përveçse në infrastrukturën rrugore edhe në atë të energjisë, furnizimit me ujë të pijshëm, etj.

Gjithsesi, vëmendja është fokusuar tek vështirësitë serioze në qarkullimin rrugor në disa akse të vendit, ku me gjithë punën e pandërprerë të borëpastrueseve disa zona janë bllokuar tërësisht.

Por problematike situata paraqitet në disa zona si Pukë, Fushë Arrëz e Dibër. Nga raportimet e para për ditën e sotme mësohet se për shkak të motit të keq dhe ngricave, ku temperaturat shkojnë në minus 17 gradë celsius ka probleme me qarkullimin në Pukë.

Akset Fushë-Kukës dhe Qafë Mali-Fierzë janë të bllokuara. Po kështu edhe të gjitha fshatrat në Pukë dhe Fushë Arrëz janë të bllokuara, ndërsa mësohet se në disa fshatra është ndërprerë edhe energjia elektrike dhe furnizimi me ujë të pijshëm. Në Fushë Arrëz është e nevojshme ndërhyrja, por Bashkia nuk ka mjete.

Ndërkaq në  aksin Bulqizë-Peshkopi temperaturat shkojnë deri në minus 16 gradë celsius. Në qarkun e Dibrës disa njësi administrative janë të bllokuara si Lura, Kalaja e Dodës, Selishta. Aksi Milot-Peshkopi është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Në Kukës, të gjitha akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në aksin Kukës-Krumë për shkak të akullit, lëvizja është e mundur vetëm duke përdorur zinxhirët. Po kështu edhe në Korçë, të gjitha akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në Qafë Thanë dhe Kapshticë, mund të lëvizet edhe pa zinxhirë.

Zjarr Tv Ad