Të tjera detaje kanë dalë pas vrasjes së 27-vjeçares italiane Vanessa Ballan nga 41-vjeçar nga Kosovë, Bujar Fandaj. Mediat italiane bëjnë të ditur se para se të vriste 27-vjeçaren, Bujar Fandaj i ka dërguar një mesazh bashkëshortit të së resë, Nicola Scapinello.
Bashkangjitur mesazhit, 41-vjeçari kosovar i ka dërguar dhe një video erotike të tij me 27-vjeçaren, të filmuar gjatë periudhës që ata kanë qenë të lidhur bashkë. Pak kohë më parë autoritetet shëndetësore në Itali kanë publikuar autopsinë e bërë ndaj të resë. Rezultatet e autopsisë thonë se para se Vanessa Ballan të vritej, ajo është rrahur barbarisht nga 41-vjeçari shqiptar i Kosovës.
Ndër të tjera, autoritetet Italiane, shprehen se 27-vjeçarja ka marrë dy goditje në mushkëri, dhe më pas Bujar Fandaj e ka qëlluar me thikë në zemër, duke shpuar tej për tej organin jetësor të saj. Bujar Fandaj ka goditur 8 herë me një thikë 20 centimetër të gjatë të renë italiane. Shtatzënia e saj është konfirmuar gjithashtu. Ajo kishte arritur afërsisht javën e dymbëdhjetë të shtatzënisë. Në ditët në vijim do të bëhet edhe një test ADN-je për të zbuluar atësinë e fetuesit.
Vanessa Ballan u vra në pragun e shtëpisë e goditur të paktën 8 herë më thikë nga ish-i dashuri. Pas një viti lidhje, 27-vjeçarja kishte vendosur t’i jepte fund gjatë verës, por shqiptari nga Kosova nuk e kishte pranuar ndarjen. Ky i fundit kishte filluar ta përndiqte duke u shfaqur disa herë në vendet ku ajo punonte, apo dhe në shtëpinë e saj duke e kërcënuar se “do ta vriste” në rast se nuk ribashkoheshin. 41-vjeçari nga Kosova donte që e reja shtatzënë të ndahej nga partneri i saj dhe të shkonte të jetonte me të në San Vito di Altivole, pak kilometra nga Spineda di Riese Pio X (Treviso), ku ndodhi tragjedia.