Deputetja e PD-së, Ina Zhupa shprehet se opozita duhet të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit dhe në këtë mënyrë do të vërtetohet nëse ftesa e kryeministrit Edi Rama është e vërtetë apo farsë.
Zhupa e ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, nënvizoi se opozita duhet të bëhet pjesë e negociatave, jo nëpërmjet zarfeve e pazareve, por me një platformë dhe emra konkretë për presidentin. Zhupa, tha se një emër i gjithë pranuar nga të palët për president, mund të ishte doktor Halim Kosova.
‘Ne deri tani kemi thënë se Edi Rama do ta kapi edhe institucionin e presidentit. Këtë gjë do ta marr të ‘mirëqenë’. Si mundet ne që t’ja tregojmë shqiptarëve se realist është vullneti i Edi Ramës është që të kapë institucionin e presidentit. Ne duhet të bëhemi pjesë e procesit jo e negociatave sekrete, e pazareve, por duke mbajtur një qëndrim që ne jep kushtetuta. Ne duhet të paraqesim platformën tonë për kriteret dhe profilin që duhet të ketë dhe duhet të japim emrat tonë për kuadrin dhe profilin që na përshtatet për presidentin e ri. Aty do të kuptojmë nëse Rama e ka farsë apo jo procesin?! Për mua ka shumë rëndësi procesi, opozita ka bërë gabime për mospërfshirjes në procese të caktuara. Duhet të bësh publike disa emra. Mendoj se janë të pranueshëm edhe për mazhorancën. Unë mund të sjell raste të personaliteteve që janë të djathtë, por që kanë marrë vlerësime edhe nga e majta, ja do të them Halim Kosovën. Nuk besoj e ka njeri dyshime se profili i dr. Kosovës është një profil që do të bëhet vegël politike. Të bëhemi pjesë e procesit, të japim figura tonat. Procesi të jetë i hapur dhe jo me zarfe.’- tha Zhupa.