Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Spanjë ku ditën e sotme dhe nëser do të marrë pjesë në punimet e Samiitit të NATO-s i cili do të mbahet në Madrid.
Ditën e sotme kryeministri i Shqiperisë, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në Samit do të mirëpriten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.
Në vijim, do të ndjekë seancën plenare të Samitit, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Fjala e hapjes së Samitit do të mbahet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Jens Stoltenberg, ndërsa Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez, do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
Samitin do t’i adresohet online edhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Pas përfundimit të seancës plenare, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, pjesëmarrës në Samit do të vizitojnë ekspozitën e teknologjisë së NATO-s.
Pritet që pasditen e kësaj të mërkure, Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, do të vizitojnë Muzeun Kombëtar Prado, në Madrid, e më pas kryeministri do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.
Samiti i NATO-s do të vijojë punimet të enjten, në ditën e dytë të tij, ku Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë, së bashku me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
Në këtë seancë, Samitit do t’i drejtohet edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s Gerald Connolly.
Në ditën e dytë të punimeve të Samitit, Rama do të zhvillojë një takim bilateral me Kryeministren e Suedisë Magdalena Andersson.
Në përfundim, kryeministri do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Enagás, e cila është një kompani spanjolle energjetike dhe operator evropian i sistemit të transmetimit, i cili zotëron dhe operon rrjetin e gazit të Spanjës.