Politologu Ilir Kalemaj deklaroi në MCN Live se opozita duhet të ndezë sa më parë motorët dhe të dalë me kandidat të unifikuar në zgjedhjet lokale.
Kalemaj vë në dukje se qasja e mazhorancës nuk duket e relaksuar, ndonëse ka përballë një opozitë që duket e përçarë.
“Përballë një opozite që duket e përçarë, duhet të kishim një qasje më të relaksuar nga mazhoranca, gjë që nuk po korrespondon. Kryeministri ka ndezur motorët, është duke punuar për të ruajtur atë kuotën prej 750 mijë votues. Opozita duhet të ndezë motorët sa më parë! duhet të dalë me kandidat të unifikuar, me program politik, në mënyrë që të jenë të besueshëm dhe të thyejnë disa nga bastionet e mazhorancës. Nuk duket se ka ndonjë prapavijë të fortë politike për të bindur qytetarët për domosdoshmërinë e amnistisë fiskale, ‘pasaportat e arta’, apo të flasësh që pedagogët po protestojnë.
Këndvështrimi që kam është që kryeministri është gjatë gjithë kohës në fushatë elektorale. Por nuk mund të qeverisësh duke qenë përherë në fushatë. Në vendet e zhvilluara nuk ka nevojë të rrijë lideri gjatë gjithë kohës në ekran, fushatat zgjatin tre muaj. Në vende si Shqipëria këto janë pritshmëritë. Edhe opozita në Shqipëri nuk është normale, është agresive dhe dekonstruktive, ka edhe hallet e saj mes veti që e bën të jetë akoma më e radikalizuar. Kemi një qasje aspak konstruktive në raport me politikat publike”, u shpreh Kalemaj.
Kalemaj tha se patronazhistë ka edhe në vendet e Evropës Perëndimore, por nuk përdorin shantazhe si në Shqipëri, ku sipas tij ndodh një fenomen që në Amerikë ka ndodhur para 100 vjetësh.