Ilir Meta jep mesazhin me rastin e 78 vjetorit nga Konferenca e Pezës: Duhet të jemi të bashkuar kundër bandës së oligarkëve

0
30

78 vite nga Konferenca e Pezës, ku forcat politike të ndryshme u bënë bashkë në luftën nacional çlirimtare, presidenti Meta shprehet se mesazhi i kësaj dite është më shumë se kurrë i vlefshëm edhe sot.

Meta shprehet se të gjithë duhet të lënë mënjanë interesat afatshkurtra ”për t’u bashkuar kundër një pushtimi të ri nga një sekt e një bandë oligarkësh që kanë uzurpuar institucionet dhe kanë marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari dhe atë europiane të vendit tonë”.

“Pezë do të thotë Shqipëria mbi të gjitha!Pezë do të thotë bashkim, kushtrim dhe qëndresë, pa dallim feje, krahine dhe ideje në mbrojtje të interesit kombëtar.

Mesazhet që përcjell edhe sot, pas 78 vitesh, Konferenca e Pezës janë më aktuale se kurrë për të lënë mënjanë ndasitë e interesat afatshkurtra, dhe për t’u bashkuar kundër një pushtimi të ri nga një sekt e një bandë oligarkësh që kanë uzurpuar institucionet dhe kanë marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari dhe atë europiane të vendit tonë.

Peza është një amanet: Besa-besë për të shpëtuar Shqipërinë! O SOT, O KURRË!”, shkruan Meta në postimin e tij në rrjetet sociale.

Çfarë ndodhi në Konferencën e Pezës;

Më 16 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, e cila pati për qëllim organizimin e forcave të ndryshme politike në një luftë të përbashkët kundër Italisë fashiste. Më vonë ky organizim mori emrin Fronti Nacional-Çlirimtar, Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë, një fshat pak kilometra distancë nga Tirana. Protagonistë të këtij kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet.

Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin: Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini (më vonë Hoxha). Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.