Deputeti i Partisë së Lirisë në Shkodër, Agron Çela, sipas burimeve i është bashkuar Partisë Socialiste.
Pak ditë më parë mësohet se deputeti Çela dhe kreu i qeverisë kanë zhvilluar një takim mes tyre ku edhe është zyrtarizuar bashkimi i tij me PS-në.
Burimet thanë për News24 se një prej arsyeve kryesore të braktisjes së Partisë së Lirisë ka të bëjë me pakënaqësitë e tij për koalicionin e kësaj force politike me Partinë Demokratike.
Në këtë mënyrë në zgjedhjet vendore të 14 majit deputeti Çela do të mbështesë në Shkodër kandidatin e Partisë Socialiste, që siç është përfolur kohët e fundit do të jetë Benet Becin.
Me ardhjen e Agron Çelës, PS-ja në Kuvend bëhet me 74 deputetë dhe koalicioni i majtë së bashku me PSD-në shkon në 78 deputetë.
Në zgjedhjet e 14 majit në Shkodër, përballë Becit do të jetë kryebashkiaku aktual Bardh Spahia, i cili mori mandatin në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2022, ndërkohë që ende nuk është bërë e qartë nëse grupimi i Alibeajt do të nxjerrë kandidat.