Presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në facebook, ka pasqyruar raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të cilin shifrat paraqesin varfërimin e shqiptarëve. Meta thekson se; rritja e borxhit publik, nuk adreson rritje ekonomike dhe përmirësimin e të ardhurave për qytetarët, por nxit varfërinë dhe papunësinë.
Postimi i plotë: Parashikimet e muajit tetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar, janë tepër shqetësuese.
Shqipëria parashikon, uljen ekonomike më të lartë në rajon. Si pasojë dhe rënia e të ardhurave për frymë, është nga më të lartat. Qytetarët shqiptarë, jo vetëm do të varfërohen më shumë, por dhe do të kenë një barrë më të lartë të borxhit për të paguar.
Konkretisht, të ardhurat për frymë për Shqipërinë në vitin 2020, parashikohen të arrijnë në 4898 USD/për frymë, ndërkohë që:
Në Malin e Zi në 7933 USD/për frymë. Në Serbi në 7497 USD/për frymë. Në Maqedoninë e Veriut në 6019 USD/për frymë.
Varfërimi, do shoqërohet edhe me rritjen e barrës së borxhit. Sipas parashikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, niveli i borxhit publik në fund të vitit 2020, (pa llogaritur detyrimet e shumta të Qeverisë), do të arrijë në rreth 83.3% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.
Ndërsa të Ardhurat për Frymë në vitin 2020, do të ulen në rreth 425 USD krahasuar me vitin 2019, Borxhi Publik për Frymë, do të rritet në 373 USD krahasuar me vitin 2019.
Në vitin 2020, Të Ardhurat për Frymë, do të ulen në nivelin 4898 $ USA krahasuar me 5323 $ USA në vitin 2019. Ndërsa Borxhi Publik për Frymë, do të rritet në 4079 $ USA, krahasuar me 3606 $ USA në vitin 2019.
Këto të dhëna, tregojnë qartë që rritja e Borxhit Publik, nuk po adreson rritjen ekonomike dhe rritjen e të ardhurave për frymë, por përkundrazi, po thellon papunësinë dhe varfërinë në vend.