Dy nënkryetarët e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku kanë vijuar edhe dje me akuza në adresë të qeverisë dhe veçanërisht kryeministrit Edi Rama sa i takon aferës së inceneratorëve. Fillimisht ka qenë deputeti Alibeaj, i cili teksa ka ndarë një video në rrjetet sociale, pyet nëse ka shqiptarë që beson se pas kësaj afere nuk ndodhet miratimi i kryeministrit Rama. Më tej ai shprehu bindjen se nga Komisioni Hetimor dalin çdo ditë dëshmi të reja se si qeveria po vjedh miliona nga shqiptarët.
“A ka shqiptar që e beson se një aferë ku është e përfshirë gjysma e qeverisë, bëhet pa miratimin e Edi Ramës?! Nga Komisioni Hetimor për Inceneratorët, përditë dalin dëshmitë, se si qeveria Rama u vodhi 430 milionë euro shqiptarëve me aferën e inceneratorëve. Koncesioni për inceneratorin e Elbasanit, duke përfshirë incinerimin dhe shitjen e energjisë, ishte për 7 vite. Me firmën e Damian Gjiknurit qeveria i jep një koncesion tjetër pa procedurë, pa garë, Klodian Zotos dhe Stela Gugallias, me 25 vite vetëm për shitjen e energjisë; Punimet në inceneratorin e Tiranës kanë filluar në Janar 2020, kurse pagesat janë bërë qysh prej Prillit 2018; Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, u bën presion ndërtuesve që të gjitha dherat dhe inertet që dalin nga ndërtimet në Tiranë, të shkojnë në landfillin e Sharrës në mënyrë anti-ligjore, pa një vendim të Këshillit Bashkiak dhe nën presionin e Bashkisë Tiranë, ndaj ndërtuesve. Vendimi antiligjor i Veliajt i mundëson inceneratorit të Tiranës të përfitojë 40 milionë euro shtesë”, shkruan ai.
Më tej deputeti Alibeaj akuzoi qeverinë “Rama” se është e zhytur në korrupsion. “Por natyrisht koka e vërtetë e kësaj vjedhje është Edi Rama. Asgjë nuk do të ishte e mundur pa dijeninë dhe miratimin e Edi Ramës. Edi Rama është i korruptuar. Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim”, nënvizoi Alibeaj.