Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi komentoi në edicionin e pasdites me Juli Krisafin në Syri Tv skandalin me evazionin fiskal nga mafia e inceneratorëve.
Këlliçi deklaroi se do të ketë fakte të reja tronditëse në ditët në vijim ndërsa theksoi se nëse SPAK i shkon deri në gjysëm hetimeve, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj përfundon në burg.
Këlliçi tha ndër të tjera se Veliaj ka firmosur për inceneratorët angazhimin financiar të Bashkisë Tiranë për 30 vitet e ardhshme me një shumë prej 128 milionë euro.
“Do nxjerrim të tjera detaje. Do shihni persona të tjerë, të papunë, të pastrehë, pa shkollim, që kanë përfituar miliona dollarë. Kemi me vite që themi që pas aferës së inceneratorëve është vetë shteti i kthyer në një organizatë kriminale, është vetë Veliaj dhe Rama.
Veliaj ishte sot në Kombinat, ata i ka lënë pa shtëpija. I tronditur nga protesta qytetare, fakti që doli Tirana, ju përgjigj thirrjes së PD, doli masivisht, nga vjedhjet që po bën qeveria.
Afera e inceneratorëve nëse do ketë vullnet nga SPAK për t’i shkuar në gjysëm, Veliajn e ke në burg. Kemi nxjerrë dokumente.
Veliaj me firmë dhe me vulë ka ndërruar historinë e inceneratorit të Tiranës, fatin e koncesionarit, ka vulosur angazhimin financiar të Bashkisë Tiranë për 30 vitet e ardhshme 128 mln euro. E gjithë skema 430 mln euro me inceneratorët.”-tha Këlliçi.