Banorët e fshatit Rrapaj në Memaliaj detyrohen që për çdo problem shëndetësor, edhe për një gjilpërë të thjeshtë, detyrohen të udhëtojnë me kilometra. Kjo, për shkak se infermieri që shërbente në qendrën shëndetësore të fshatit, ka ikur në Gjermani.
Rreth 50 familje të fshatit janë detyruar të rrinë pa shërbim shëndetësor prej muajsh të tërë, pasi askush nuk ka shkuar për të zëvendësuar infermierin e larguar.
Banorët, shumica e të cilëve të moshuar dhe me sëmundje të ndryshme, detyrohen që të udhëtojnë me kilometra të tëra drejt Memaliajit për të marrë shërbim. Ata që janë të pamundur, si nga ana shëndetësore ashtu edhe ajo ekonomike, kanë gjetur zgjidhje alternative.
“Banorët që munden marrin me pagesë një makinë dhe shkojnë në Tepelenë. Të tjerët, marrin gjilpëra dhe i bëjmë kokrra, se nuk kemi ku t’i bëjmë”, kanë thënë banorët për A2.
Kërkesa e këtyre banorëve për një infermier duket se do të vijojë të mbetet e paplotësuar, të paktën derisa ndonjë infermier të aplikojë për vendin vakant. Kjo ishte edhe përgjigjja jashtë kamerave që autoritetet lokale kanë dhënë për këtë problematikë.