INSTAT: Në tremujorin e tretë të këtij viti janë dhënë 50 leje më pak

0
10

Gjatë periudhës korrik-shtator  në Shqipëri janë dhënë më pak leje ndërtimi. Të dhënat e INSTAT Tregojnë se në tremujorin e tretë janë dhënë 50 leje më pak. Por pavarësisht kësaj Tirana vijon që të ketë numrin më të lartë të lejeve e madje me rritje nëse e krahasojmë me një vit më parë.

Pas një periudhë me rritje lejet e ndërtimit kanë pësuar rënie gjatë periudhës korrik-shtator. Sipas të dhënave të Instat në    tremujorin e tretë 2019 janë miratuar gjithsej 293 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 343 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2018, duke shënuar një rënie prej 14,6 % ose 50 lejë më pak. Por pavarësisht kësaj vlen të theksohet se sipërfaqja e ndërtimeve është më e madhe.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, miratuar në tremujorin e tretë 2018, ka shënuar një rritje me 2,1 herë. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e tretë 2019, është 25,6 miliardë lekë, nga 15,2 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2018, duke shënuar një rritje prej 68,0 %.Megjithatë kryeqyteti vijon që të ketë numrin më të lartë të lejeve të ndërtimit.

Gjatë periudhës Korrik-shtator  vetëm kryeqyteti ka përfituar 108 leje ose 4 leje më shumë nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tre qytetet që kanë marrë më pak leje ndërtimi rezulton të jetë Shkodra, Berati dhe Gjirokastra.