Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas arrestimit të gjyqtares së Gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha.
Ai e sheh arrestimin e sotëm si një shembull të përkushtimit për kryerjen e detyrës nga ana e SPAK-ut dhe si një shenjë dalluese për të rikthyer besimin në drejtësinë e re tek ata që nuk besojnë në të.
Në fund të postimit të tij Balla i drejtohet presidentit Meta dhe Monika Kryemadhit që të mos takohen skutave me ish-gjyqtarë e ish-prokurorë, pasi sipas tij procesi në drejtësi nuk kthehet më.
Postimi i plotë i Taulant Ballës:
Kush ankohet apo s’ka ende besim tek institucionet e reja të Drejtësisë, çdo ditë po merr përgjigje.
Institucionet e reja të drejtësisë po funksionojnë dhe po e tregojnë këtë ditë pas dite me rezultate konkrete. Hetimet pro-aktive dhe arrestimet e kryera nga SPAK-u dhe procedimet e kryera nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si për gjyqtarin e Korcës, për gjyqtaren e arrestuar sot dhe për të tjerë në proces, janë vetëm shembujt e parë të përkushtimit për të kryer detyrën, por edhe inkurajim për punë të tjera në vijim, si një proces i rëndësishëm për rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia.
Zbatimi me përpikmëri i reformës në drejtësi dhe vetingut, po mundëson një drejtësi të re e të pavarur, e cila nuk do të dijë as se kush je apo çfarë pozicioni politik ke.
Meqenëse fola për vetting-un, dua t’i them Lulit dhe Monikës mjaft takoheni skutave me ish-gjyqtarë e ish-prokurorë. Nuk ka asnjë shans që ky proces të kthehet mbrapsht.