Sekretariati i Përgjithshëm i shërbimit policor ndërkombëtar, Interpol, konfirmoi të mërkurën se ka pranuar aplikimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatës. Një zyrtar i lartë i saj njoftoi se vendimi i Asamblesë së Përgjithshme për anëtarësimin e Kosovës pritet të merret gjatë muajit tetor në Kili, porse axhenda nuk është finalizuar. Kosova ka aplikuar për t’u bërë pjesë e Interpolit për herë të parë në vitin 2010, dhe e ka përsëritur kërkesën pa sukses edhe tri herë të tjera në vitin 2015, 2017 dhe 2018. Më 20 nëntor të vitit të kaluar, si pasojë e një fushate të ndërmarrë nga Serbia, vendi sërish nuk arriti të fitojë shumicën e votave të kërkuara.
Atëkohë ambasada amerikane në Kosovë reagoi duke thënë se vendet ranë pre e presionit të Beogradit, ndërsa vetë Prishtina u përgjigj vetëm një ditë më vonë duke aplikuar taksën e shumëpërfolur prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, efektet e së cilës komentohen edhe sot. Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës shpresojnë edhe këtë vit për një rezultat pozitiv, ndërsa diplomacia serbe është deklaruar se do të vijojë lobimin kundër anëtarësimit të fqinjit të saj jugor në Interpol.
Hyrja në organizatë shihet si një domosdoshmëri që vendi të rritë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në parandalimin e krimit të organizuar, terrorizmin, por edhe në përmirësimin e shërbimit të vet policor. Kjo nevojë bëhet edhe më urgjente në vazhdën e komenteve të fundit të komandantit të forcave amerikane në Europë, Kurtis Skaparoti, sipas të cilit situata e sigurisë në Ballkan është shumë e brishtë dhe të gjitha vendet në gadishull janë nën shënjestrën e Rusisë.