INTERVISTA/ Spartak Braho ‘skanon’ qeverisjen e Edi Ramës: S’mund të vazhdohet me kandidatë “zogjtë laramanë”, Vangjush Dakon dhe hajdutin e makinës së Benzema. Nevojë ulëritëse për të ndryshuar kahun

0
29
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

VALENTINA MADANI/ Për ish-deputetin e PS-së, Spartak Braho, emigrimi i ditëve të sotme i ngjan eksodit të viteve 1991 kur shqiptarët kaluan detin drejt vendeve të perëndimit. Braho kritikon qeverinë për mungesën e një plani serioz me qëllim frenimin e emigrimit kaotik të shqiptarëve.

Për gazetën “Panorama”, Spartak Braho përmes 5 faktorë kryesorë si shkaktarë të hemorragjisë së largimit të qytetarëve shqiptarëve jashtë vendit. Sipas tij, qeveria ende nuk po e kupton se punësimi, mekanizmat që e nxisin atë dhe rritja e pagave deri dyfish dhe trefish janë imediatisht një objektiv që duhet ndërmerr me urgjencë. Ish-deputeti i PS-së akuzon Kryeministrin Edi rama se nuk po sheh problemin në sy, ndërkohë që mijëra shqiptarë po marrin arratinë. Braho flet edhe për drejtësinë e re teksa SPAK-ut i kërkon që të arrestojë zyrtarët e korruptuar. Kurse nga ambasadorja amerikane Yuri Kim pret që të publikojë emrat e politikanëve që po kërcënojnë gjyqtarët dhe prokurorët.

Z. Braho pse po shpopullohet Shqipëria? Për cilat arsye po largohen shqiptarët drejt perëndimit?

Lexuam këto ditë një analizë të një gazetari ivestigativ anglez një përfundim që të tërhiqte vëmendjen në shkrimin e tij. Ai konstatonte se “Shqipëria konsiderohet vitet e fundit një vend i parapëlqyer dhe atraktive për turizmin europian, por po kthehet për shkak të emigrimit masive, në një vend azil pleqsh në brigjet e Adriatikut”. Mendoj se pak a shumë ky përfundim është i saktë, për shkak se vitet e fundit ka një hemorragji të paparë të mijëra shqiptarëve, kryesisht të rinj që u larguan në rrugë legale dhe ilegale drejtë disa vendeve të Europës dhe Amerikës ku në trend është Gjermania dhe Spanja. Pesë janë faktorët kryesore të këtij emigrimi hemorragjik jashtë kufijve, që në dukje është i ngjashëm me lëvizjet dhe emigrimin e viteve 1991 kur u ndërrua sistemi. Ende nuk ka një analizë dhe studim serioze për të përcaktuar shkaqet kryesore nga organet e specializuara studimore dhe qeveria. Ka vetëm konstatime dhe një analizë serioze të bërë ditët e fundit nga ekonomisti Zef Preçi.

…dhe cilët janë këta faktorë?

Faktori i parë është ai ekonomik, papunësia, pagat e ulëta, fenomeni i korrupsionit të administratës shtetërore i ndikuar edhe nga kriza ekonomike globale, e cila ka përfshirë dhe Shqipërinë. Faktori i dytë është ai politik, pasiguria sociale i nxitur nga opozita e sotme dhe ndikime e huaja. Është Serbia e ndonjë shtet tjetër, që si një dorë e fshehtë shtyn zbrazjen dhe shpopullimin e Shqipërisë. Ky është dhe ka qenë një synim i hershëm i qëllimeve të saj hegjemoniste që merr edhe trajtat të një “komploti” të fabrikuar nga teoritë e Çubrioloviçit. Faktori i tretë është ai psikologjik, që ka marrë nuancat e një epidemie dhe psikoze masive, veçanërisht te të rinjtë, të cilët mungesa e perspektivës dhe largimi kuturu pa ditur dhe pa pasur synime të qarta ku shkojnë dhe për çfarë po shkojnë, e nxit emigrimin. Faktori i katërt është edhe ndikimi i kondicionit shpirtëror të mënyrës së jetesës së shqiptarëve, të cilët në vite kanë emigruar kudo. Në kohët moderne, veçanërisht 500 vitet e fundit ata kanë emigruar pa pyetur shumë për sistemet ekonomike e janë të vendosur në të gjitha vendet e botës, nga Australia, SHBA, Kinë, Japoni Turqi, Argjentinë dhe në mjaft vende të tjera të Europës. Në thelb arsyet kanë qenë ekonomike. Faktori i pestë që ka nxitur emigrimin është edhe joshja nga kërkesat për punësim dhe thithjen për nevojat e fuqisë punëtore të mjaft vendeve me nivel të lartë ekonomik, të cilat kohët e fundit janë mjaft tunduese, por që nuk organizohen në rrugë zyrtare edhe me pjesëmarrjen e shtetit shqiptare.

A mund të frenohet emigrimi i shqiptarëve?

Natyrisht, këta faktorë që përmenda dhe ky realitet mjaft shqetësues ndikohet edhe përballë masave anemike dhe jo parandaluese të qeverisë shqiptare, e cila deri tani nuk ka paraqitur asnjë plan serioz për ta frenuar këtë emigrim kaotik. Kuptohet që të gjithë këta faktorë kryesore janë sa objektive dhe subjektive. Qeveria ende nuk po e kupton se punësimi, mekanizmat që e nxisin atë dhe rritja e pagave deri dyfishim dhe trefishim, që duhet ndërmarrë me urgjencë.

Si e lexoni deklaratën e Kryeministrit Rama se shqiptarët gjithmonë kanë emigruar dhe e vetmja kohë kur u penguan ishin gjatë kohës së komunizmit?

Është i pamjaftueshëm, i përciptë, pa sens logjike dhe jo i justifikuar, shpjegimi që i bëri ditët e fundit Kryeministri Rama “se po ikin pasi kanë qenë të izoluar në kohën e diktaturës”. Kryeministri duhet ta dijë se nuk ka qenë vetëm izolimi i diktaturës, por edhe Europa nuk të pranonte dhe hapte dyert kollaj në atë periudhë.

Si e vlerësoni qeverisjen aktuale të Edi Ramës? Si po qeveris Kryeministri i vendit?

Peizazhi ekzistues i pasqyrës qeverisëse të kabinetit “Rama 3” vazhdon të mbetet e zymtë dhe lë për të dëshiruar e ballafaquar me pritshmeritë e shqiptarëve dhe e krahasuar me dy mandatet e mëparshme. Kjo qeverisje ka nevoje ulëritëse për të ndryshuar kahun, ku është futur dhe imediatisht i duhet të prekë e fillojë terapi ekonomike për të ndryshuar jetën e bërthamës së popullatës aktive, të fermerëve, mësuesve, pensionistëve, ushtarakëve, policëve etj. Buxheti i ri i sapo miratuar në parim në Kuvend nuk duket se ngjall ndonjë optimizëm dhe se parashikimet nuk janë në rritje. Edhe Kryeministri në fjalën e tij në Kuvend pati më shumë fyerje karshi tymnajës që hidhte opozita dhe nuk ju përgjigj si duhet kërkesave dhe parashikimeve serioze në funksionin e Kryeministrit. Ai duhet ta dijë, ta shohë problemin në sy, se mijëra shqiptarë po marrin arratinë. Po zbrazet vendi veçanërisht fshati, por a do të rikthehen një ditë vallë? Shqipëria në 800-900 mijë banorë në vitin 45, në vitin 90 po shkonte në afro 4 milionë banorë. Tani shifrat janë zvogëluar me dyfish. Ai duhet ta dijë se këtë vit siç japin alarmin specialistët e bujqësisë u mbollën me grurë sa sipërfaqe e mbjellë e vitit 1950.

A do të jetë drejtësia dhe organet e saj instrumenti kryesor që do ta shpëtojnë këtë vend?

U bënë disa vite që Reformën në Drejtësi e njehsojnë me synimin e fillimit të një epoke të re që lidhet me pandëshkueshmërinë, si e keqja më madhe në punën e organeve të drejtësisë gjatë këtyre 30 vjetëve. SPAK-u si organi kryesor që ka marrë në dorë dhe që synon të realizojë eliminimin e kësaj të keqeje dhe që të fillojë dënimin e kujtdo qoftë të atyre që shkelin ligjet, Kushtetutën, që kryejnë korrupsionin aktive dhe pasive, kundër kriminelëve me kollare dhe pa kollare. Ai ka një mision të pazëvendësueshëm, madje edhe patriotik për fatet e këtij vendi. Volume të tëra dosjesh e denoncimesh penale kanë vërshuar në zyrat e SPAK-ut. Ka me shumë se 2 vjet.

Por, çfarë po bëhet me to?

Hapja e këtyre dosjeve e “gjynaheve”, që deri tani janë vetëm hapje, të krimeve të ndodhura kronologjikisht, si ato të vitit 1997, grushtit të shtetit, shitjes të interesave kombëtare, të korrupsionit, të vjedhjeve në privatizimit të kompleksit Partizani, afera e CEZ-it, vrasjet e Gërdecit, apo të 11 Janarit, pastrimi dhe përdorimi i parave të agjenturës Ruse nga PD-ja etj., kanë mbetur ende pa autorë. Këto dosje që përbëjnë krimet kryesore dhe thelbin e pandëshkueshmërisë të autorëve, janë ende çështje të hapura, por jo të mbyllura e të shoqëruara me ndëshkim penal për fajtorët, në emër të ligjit.

Çfarë po ndodh me dosjen e aferës së inceneratorëve?

Ka vetëm dy arrestime të niveleve të larta, ndërkohë që pronarët legale dhe anonimë ndodhen të arratisur jashtë shtetit, por që vazhdojnë të paguhen nga ministritë përkatëse. Asnjëri nuk jep shpjegime për këto pagesa në dukje të pajustifikuara. Thuhet se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion po punon edhe pse ndaj saj mund të bëhen edhe vërejtje për ngathtësi. Ditët e fundit përfaqësuesi i Departamentit Amerikane, z. Eskobar, ambasadorja amerikane Yuri Kim vuri në dukje së prokurorët dhe gjyqtarët po kërcënohen e presionohen nga politikanë dhe kriminelë, dhe për këto gjëra “ne po mbajmë shënim”. Këtë fakt e përsëriti pardje edhe kryeprokurori i SPAK-ut, z. Kraja. Gjykoj se kjo nuk është e pamjaftueshme dhe ata politikanë dhe kërcënues kanë emra, janë konkrete. Ata duhet të njihen edhe nga opinioni, hapur dhe ndaj tyre duhet të veprojnë me forcë ligji kur shkelet. Edhe ligji kur shkelet ka një rrugë. Kjo rrugë është dera e burgut. Personalisht si jurist kam dënuar ndërhyrjet e Berishës, Ramës, Metës për deklaratat kundër SPAK-ut me idenë larg duart nga SPAK-u. Ideja që po dominon në opinionin e gjerë është se SPAK-u po punon i tkurrur dhe nuk po vepron me forcë, por vazhdojmë të shpresojmë te goditjet ndaj krimit jo vetëm hipotetik, por aktivë, sepse vetëm kështu ky organ kryen misionin e tij dhe vetëm kështu Reforma në Drejtësi realizohet dhe kryen funksionin e duhur. Gjithsesi, shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare të interesuara, janë të bindur dhe shpresojnë për suksesin e Reformës. Shpresa vdes e fundit thotë një fjalë e urtë. Do të jenë vetëm organet e drejtësisë, kjo shtyllë e fortë e shtetit, që do ta shpëtojnë këtë vend. Kjo është edhe bindja ime.

Si e parashikoni rezultatin e zgjedhjeve lokale të vitit që vjen dhe atyre politike pas dy vjetësh? A do të jenë protestat si ajo e 12 nëntorit faktor për ta kthyer opozitën në pushtet?

Pas disa muajsh, vendi do të shkojë te zgjedhjet e organeve të pushtetit vendor ku të gjitha partitë kanë nisur secila sipas mënyrës së tyre fushatën elektorale me objektivin kryesor fillimisht zgjedhjen e kandidateve. Është ky një proces i ndërlikuar, sepse nga njëra anë mazhoranca si parti e vetme në fushate do të ketë problem për shkak të konsumimit që kanë pësuar të zgjedhurit e saj kryesore. Ndërsa opozita nga ana tjetër duke qenë e përçarë në tre pole, dy PD, Partia e Lirisë dhe grupi I partive të tjera të djathta do të jetë problematike. Si do të zgjidhen kandidatet, kush do ti propozojë, me cilin sigël do të paraqiten në fushatë? Ka zëra që thuhet se Partia e Saliut dhe Flamurit këtë handikap do ta zgjidhin me ndihmën e simboleve të partisë së Ilir Metës, i cili është me pikëpyetje nëse do ta hajë “sapunin për djathë “kur partia e tij nuk do të ketë listë për kandidatë. Ky formatim i listës së kandidatëve ndonëse është i mundshëm ligjërisht, nuk është i dobishëm për partitë e tjera. Ditët e fundit po synohet të krijohet një grupim politik me përbërjen e të gjithë grupimeve opozitare nën një sigël zgjedhore. Por, edhe kjo mënyrë zgjidh vetëm anën procedurale. Por, në kushtet kur brenda këtij grupimi prevalojnë interesa te ndryshme të krerëve të tyre dhe jo i elektoratit, që përfaqësojnë do të jetë i vështirë, sigurimi dhe funksionimi i një shumatoreje elektorale fituese. Këtë e tregojnë dhe e parashikojnë edhe sondazhet objektive të z. Eduart Zaloshnjës. Era fryn përsëri për mazhorancën aktuale, ndonëse ajo nuk do të jetë mirëfilltë e majtë.

A kanë efekt dhe ndikim thirrjet për protesta të partive opozitare për të rrezuar Edi Ramën?

Thirrjet e dyshes Berisha-Meta për organizim protestash me disa lloje cilësimesh, si të pandalshme, me dhunë, me mosbindje civile, revolucionare, të pandërprera ashtu siç e kemi parë deri tani, nuk ka ndonjë sinoptikë apo gjasë se do të zgjidhin gjë. Ndonëse kjo shkume thirrjesh, ngrihet mbi një problematike dhe të drejta për të protestuar dhe ja vlejnë për të zgjuar opinionin kundër keqqeverisjes së mazhorancës në tërësi, dhe drejtimit pa busull dhe problematik në situatën ekonomike në vend të qeverisë së Ramës. Është interesant të parashikohet rezultati i këtyre zgjedhjeve, ndërkohë që vendi ka nevojë për ndryshime rrënjësore. Përballë dyshes Berisha, Meta e kompani, Rama ka mundësi t’i kapërdijë, t’i mposhtë në zgjedhjet e pritshme të vitit të ardhshëm, por jo ashtu siç e pret e mendon drejtuesi i Partisë Socialiste. Gjithsesi, kjo është vetëm prognozë e vendi dhe politika kanë nevojë për novacione në ide dhe veçanërisht në emra. Nuk mund të vazhdohet me Vangjush Dakon në rrethin e Durrësit apo me “zogjtë laramanë” që ka përgatitur për fushatë, ashtu sikundërse nuk mund të vazhdohet si në Mamurras me kandidatë vjedhësin e makinës së të famshmit Benzema në Spanjë. Të shohim ç’do na “pjellin” primaret e Saliut, dorëheqjet e disa deputetëve të PD-së nga jeta politike, apo “novacionet” e kandidateve të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës.

A besoni se organet e reja të drejtësisë do të bëjnë drejtësi…?

Berisha e ka drejtuar vendin herë si President e herë si Kryeministër për gati 15 vjet, por bilanci i drejtimit tij, pothuajse është negative pasi ai ka rrezikuar qeverisjen e vendit me qindra skandale. Personalisht ai duhet të përgjigjet jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht. Ai i ka mbijetuar situatave të vështira për shumë faktorë. Për të shpjeguar ato hollësisht dhe specifikisht nuk do të ndalemi. Kryesore për këtë mbijetesë të tij, mosfunksionimi i shtetit që ka sjellë pandëshkueshmërinë dhe vënien para përgjegjësisë të tij. Etapa e mosfunksionimit të shtetit dhe ligjit, që ka zgjatur në periudhën e tranzicionit 30-vjeçar, duhet thënë e pranuar se e ka “mbjellë” e kultivuar edhe vetë Partia Socialiste e drejtuesit e saj në vite, por edhe ndikimi i faktorit ndërkombëtare me motivin “ta ruajmë stabilitetin në rajon dhe në Shqipëri”. Paaftësia, mungesa seriozitetit e idealizmit, intrigat, marrëveshjet pa skrupull të tipit “një herë drejto ti, njëherë unë”, korrupsioni, edhe nga mazhoranca socialiste kanë shtuar jo vetëm pakënaqësinë të shqiptarët, por dhe pasivitetin dhe gjendjen e rëndë. Nuk duhet të gjykohet vetëm Sali Berisha dhe soji i tij, por edhe drejtuesit demagogë të babëzitur socialistë me vite, disa hileqarë që u kanë konvertuar në rilindës, pa ideale ndershmërie dhe burra pa “b” dhe jo shtetarë të vërtetë.

Zjarr Tv Ad