Nako Petro, është ndër të paktët inxhinierë të naftës dhe gazit në Shqipëri, që del publikisht për të vendosur pikat mbi “i”. Në një kohë që qytetarët janë të mbytur në terr informativ, në mungesë ekspertize shumë të nevojshme edhe pse ekspertët janë aty; kur askush nuk kujtohet të marrin ndonjë mendim, inxhinier Nako, është ndër të vetmet zëra që del sa në një ekran në tjetrin, sa në një gazetë në tjetrën për të thënë fjalën e tij.
Gjithë jetën që pas studimeve në Universitetin e Tiranës në kohën e diktaturës ia ka kushtuar nëntokës shqiptare. E njeh vendin pëllëmbë më pëllëmbë. Ndihet keq kur sheh sesa e sa naftëtarë janë hedhur rrugëve. Ishte ndër të parët që foli për shkatërrimin e rafinerive të naftës, gjithë atyre pasurive që u deshen vite të tëra punë të ndërtoheshin. Dhe i sheh tek shkatërrohen sa hap e mbyll sytë, pa rënë dielli i pasdites.
Orët e gjata të punës në kantieret e naftës dhe gazit, ia kanë shtuar më shumë dashurinë për profesionin. Këtë profesion që për inxhinierin është më i rëndësishmi, sepse Shqipëria, sikurse ai e di, sikurse e dinë dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në vend dhe jashtë saj, është një vendburim ndër më të mëdhenjtë të naftës dhe gazit në Shqipëri. E pikërisht kur ekzistojnë këto kushte dhe rrethana, Shqipëria jo vetëm vuan mungesën e prodhimeve të bollshme të nëntokës së vet, por përballet me një rritje galopante çmimesh ndikuar kjo më së fundi dhe nga zhvillimet botërore.
Në këtë intervistë të shkurtër për revistën NEWSBOMB.AL, inxhinieri flet për koncesionin e pompave.
Ekzistojnë sipas tij 25 mijë pompa në karburantet në vend, dhe kontrolli i tyre, tani ka rënë në duart e privatit. Që jo vetëm nuk e kryen këtë siç duhet, por edhe abuzon, madje duke u folur tani edhe për rritjen e çmimit. Dikur këtë detyrë e kryente shteti. Profesori nuk di të thotë pse një ndërmarrje e tillë iu hoq strukturës shtetërore që kishte gjithë kapacitetet dhe iu dha privatit. E thotë, se asnjëherë nuk është vonë për të marrë vendimet e duhura. Profesor Petro, përse, sipas jush, koncesionari i koncesionit të kontrollit të pompave të naftës ka kërkuar një rritje të çmimit të shërbimit të tij pranë Ministrisë së Financave?
Kontrolli i pompave të naftës funksionon për të garantuar saktësinë e karburantit që shitet për qytetarët dhe entet shtetërore e private. Ai njihet si proces në të gjithë botën dhe zakonisht kryhet nga struktura të specializuara shtetërore matëse, si dhe inspektuese. Tek ne, deri në fillim të vitit 2019, ky shërbim kryhej nga shteti dhe përkatësisht nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) dhe pastaj nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë.
Në tetor të vitit 2018, shërbimi iu kalua privatit me një kontrate koncesionare. Në gjykimin tim, kontrata koncesionare mbart probleme. Kompania koncesionare private ka fituar të drejta për të gjobitur bizneset abuzuese, ndërkohë që me ligj këtë kompetencë e kanë organe shtetërore dhe vetë procesi i sanksioneve duhej të kalonte në filtra shtetërorë. Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), ku ndodhet Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, i është hequr e drejta e bllokimit të instrumentit matës, pasi verifikimet dhe kontrollet kryhen vetëm nga koncesionari.
Me fjalë të tjera, privati kontrollon punën e tij! Kjo do të thotë se të drejtën e bllokimit për marrjen e masës administrative ndaj instrumentit matës në rast të shkeljeve, kontrata koncesionare ia ka njohur koncesionarit. Përjashtimi që i bëhet institucionieve shtetërore nga ushtrimi i plotë të funksionit të inspektimit të instrumenteve të verifikuara prej koncesionarit, në gjykimin tim, rrezikon t’i bëjë të pakontrollueshëm instrumentet matëse të karburantit dhe shërbimin e verifikimit metrologjik.
Shërbimi i metrologjisë ligjore për verifikimin e shpërndarësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm, është deleguar tek koncesionari, pa ofruar siguri që të ketë kapacitete të mjaftueshme për të monitoruar, ndërkohë që struktura shtetërore ka pasur një metodologji dhe manual mbi mënyrën e monitorimit. Tani nuk ka as manual, as metodologji. Në rastin e karburanteve dhe gazit të lëngshëm, kjo qasje i bën praktikisht të pakontrollueshme instrumentet matës dhe cilësinë e shërbimit të verifikimit që ofrohet nga koncensionari.
Ky koncesion u bë me qëllim përmirësimin e shërbimit të mbrojtjes së konsumatorit, por gjykoj se me të tregu mbetet tërësisht i pamonitoruar. Nga ana tjetër, mungon një ekspert metrolog për të monitoruar zbatimin e kontratës. Nëse fitimet e parashikuara nuk arrihen, shteti do të mbajë rreziqet financiare, ndërsa koncesionari vetëm rrezikun e investimit.
Përse kontrolli i pompave është i rëndësishëm, Profesor?
Shqipëria ka rreth 25 mijë pompa në stacionet e karburanteve. Rritja e tarifës e rëndon drejtpërdrejt barrën mbi qytetarët me të paktën 3.4 milionë euro në vit, duke përfshirë dhe efektin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Do të ishte e pamendueshme rritja e tarifës në këto kohë të çmimeve rekord të naftës dhe të administrimit të tregut të karburanteve me borde, por në një moment tjetër, kjo mund të kryhet dhe do të dëmtonte interesat e qytetarëve.
Kosto e shërbimit të kontrollit të pompave në stacionet e karburanteve aktualisht është 14 mijë lekë për pompë në vit. Duke qenë se kjo tarifë paguhet nga shoqëritë e karburanteve, ajo transferohet si kosto direkte tek konsumatorët përmes çmimit fundor. Nëse, sikurse është përmendur, rrezikohet të dyfishohet tarifa e kontrollit, kjo do të reflektohet menjëherë në çmimin përfundimtar që paguan konsum