Irani do të përshpejtojë pasurimin e uraniumit

0
5

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se vendi i tij do të nisë këtë javë zhvillimin e centrifugave, për të përshpejtuar pasurimin e uraniumit. “Do të hulumtojmë dhe zhvillojmë lloje të ndryshme të centrifugave dhe çfarëdo që është e nevojshme për pasurimin e uraniumit në një mënyrë të përshpejtuar”, tha Rohani.

“Të gjitha kufizimet në kërkimet dhe zhvillimet tona do të hiqen të premten”, tha ai shkruan REL.

Iranit i janë vënë kufizime në programin bërthamor me një marrëveshje të arritur në vitin 2015 midis tij dhe fuqive botërore. Në këmbim të kufizimeve, Iranit i janë hequr disa sanksione dhe i është dhënë qasje në tregtinë botërore.

Por, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vitin e kaluar, është tërhequr nga kjo marrëveshje, duke thënë se nuk ka qenë e ashpër mjaftueshëm sa për të penguar Iranin nga zhvillimi i armës bërthamore.

Që atëherë, Uashingtoni ka vënë sanksione të ashpra mbi ekonominë e Iranit, ndërsa ky i fundit ka nisur të shkelë kufizimet e përcaktuara me marrëveshjen bërthamore.

Republika Islamike po ashtu ka kërcënuar me shkelje të mëtejshme nga 5 shtatori, nëse nënshkrueset evropiane të marrëveshjes – Franca, Gjermania dhe Britania – nuk gjejnë mënyra për të ndihmuar ekonominë e Iranit.

Në një fjalim televiziv, Rohani tha se Irani do t’i japë Evropës edhe dy muaj kohë për të zbatuar plotësisht kushtet e marrëveshjes. Nëse kjo ndodh, Teherani do t’i kthehet po ashtu zbatimit të marrëveshjes, tha Rohani.

Centrifuga është pajisje që pasuron uraniumin. Uraniumi i pasuruar nga 3 deri në 5% mund të përdoret për të prodhuar lëndë djegëse për termocentralet bërthamore. Uraniumi i shkallës së armëve është 90% i pasuruar ose më shumë.

Irani këmbëngul se nuk është përpjekur kurrë të zhvillojë armë bërthamore – siç pretendon bashkësia ndërkombëtare – porse dëshiron të gjenerojë energji elektrike.

Njoftimi i tij i fundit vjen në kohën e bisedimeve intensive midis Iranit, Francës dhe Rusisë për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.