Irani tërhiqet pjesërisht nga marrëveshja bërthamore

0
16
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Irani ka njoftuar se është tërhequr pjesërisht nga marrëveshja bërthamore që e kishte arritur me fuqitë botërore në vitin 2015. Vendimi i këtij shteti erdhi një vit pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga e njëjta marrëveshje.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, tha se Tehrani do ta ndërpresë transportimin e uraniumit të pasuruar sipas rregullave të marrëveshjes së vitit 2015 dhe paralajmëroi se do të pasurojë më shumë uranium brenda 60 ditësh nëse nënshkruesit e marrëveshjes nuk qëndrojnë prapa premtimeve për ta mbrojtur naftën dhe sektorët bankarë të këtij vendi nga sanksionet.

Masat e së mërkurës, të cilat u bënë të ditura nga Rouhani në një fjalim drejtuar popullit, u dërguan zyrtarisht në ambasadat e vendeve që ende janë pjesë e marrëveshjes, përfshirë Francën, Britaninë, Gjermaninë, Kinën dhe Rusinë. Ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, i bëri të ditura hollësitë teknike dhe ligjore të tërheqjes përmes një letre dërguar shefes së BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini.

Sipas marrëveshjes, Iranit i kërkohet që ta shesë sasinë e tepërt të uraniumit jashtë vendit, e jo ta ruajë atë, duke mundësuar prodhim të energjisë nukleare pa zhvillim të armëve bërthamore.

Rouhani tha se Irani dëshiron të negociojë për rregullat e reja me partnerët e mbetur në marrëveshje, por paralajmëroi se situata është shumë serioze. “E kemi përshtypjen që marrëveshja bërthamore ka nevojë për një operacion dhe se barnat kundër dhimbjes të vitit të kaluar nuk kanë qenë efektivë. Ky operacion ka për qëllim ruajtjen e marrëveshjes, e jo shkatërrimin e saj”, tha ai.

Administrata amerikane e presidentit Trump i ka paralajmëruar disa herë shtetet evropiane që ato do të përballen me sanksione nëse bëjnë tregti me Iranit. Pothuajse të gjitha kompanitë e mëdha janë larguar nga tregu iranian, duke ndikuar edhe më shumë në keqësimin e situatës ekonomike në këtë vend të Lindjes së Mesme, shkruan “The Guardian”.

 

Zjarr Tv Ad