Bogdani shënonte dhe një trajner i Palermos shkarkohej. Dukej si shenjë e fatit ardhja e ish-sulmuesit shqiptar në rolin e shefit të zbulimit të talenteve te klubi sicilian. Emërimi i tij u bë pak ditë më parë dhe kjo nuk kaloi pa bërë “zhurmë” në mediat italiane.
E përditshmja italiane, “Repubblica”, i ka kushtuar një artikull golashënuesit më të mirë në historinë e Shqipërisë, duke e konsideruar atë një “ekzekutues” të trajnerëve të Palermos dikur.
JA NJË PJESË E ARTIKULLIT PËR BOGDANIN:
“Është zgjedhur Erjoni, sepse dikur ka qenë një sulmues race, i fortë fizikisht, i zoti në lojën në ajër duke shënuar, por edhe duke bërë sponda për shokët. Ai transformohej kur i dilte përpara ngjyra rozë. Kudo ku luhej: në Serinë A ose në Serinë B. Ai gjithnjë vishte mantelin e ‘ekzekutuesit’ kur i dilte përballë Palermo dhe vendoste fatet e trajnerëve.
Për ta ilustruar këtë duhet të kthehemi pas në një pasdite gri të janarit 2004, në mënyrë që të kujtojmë ‘ekzekutimin’ e tij të parë: kampionati i Serisë B, Palermo-Salernitana, 0-2, autor i të dy golave: Bogdani! Nuk ishte një humbje si gjithë të tjerat për sicilianët, sepse ajo Palermo e Zamparinit u ngjit në fund të sezonit në Serinë A pas 32 vitesh dhe në stol ishte Silvio Baldini.
Pas disfatës në shtëpi trajneri deklaroi se ‘presidenti thotë budallallëqe…’ Përfundimi dihet: shkarkohet Baldini që ishte në vend të tretë dhe drejtimin e mori Guidolin. Por në atë skuadër kapiten ishte Korini, që tanimë është trajner i ri i Palermos dhe së bashku me Bogdanin do të përballen shumë shpesh, sa herë që të diskutohet vlerësimi për ndonjë talent që mund t’i shërbejë Palermo-Sitit. E megjithatë, ‘ekzekutuesi’ nga Tirana, i diplomuar në ekonomi, që në atdheun e tij është shumë i dashur edhe për shkak të 18 golave me Kombëtaren, ka fundosur edhe një trajner tjetër të Palermos me golat e tij. Këtë herë luhet në një skenë akoma më të rëndësishme, si Seria A.
Ishte sezoni 2005-2006, më i miri në karrierën e tij në Serinë A me 11 gola. Luhej Palermo-Siena dhe ishte shansi i fundit për Del Nerin. Luhej para 27 mijë tifozëve në stadiumin ‘Barbera’ dhe përfundoi 1-3. Të tre golat për Sienën i shënoi Bogdani: 2 me këmbë dhe 1 me kokë. Pas vërshëllimës së arbitrit Zamparini nuk ngurroi të njoftonte shkarkimin e Del Nerit. 16 vite më parë Bogdani kishte përballë në fushë një djalosh që quhej Leandro Rinaudo, i cili sot është drejtor sportiv i Palermos, i cili u bë mik me Bogdanin që nga koha kur luajtën një vit më pas bashkë te Siena.
Aq shokë, sa shqiptari e kishte dëshmitar në dasmën e tij. Mirëpo tani Erjoni duhet të japë gjithçka nga vetja, sepse i është besuar një rol i rëndësishëm dhe po hyn gradualisht në galaksinë e Sitit të sheikëve. Ai gjithsesi nuk ka eksperiencë vetëm si lojtar në Serinë A me disa klube, por edhe si zv.trajner i Kombëtares me De Biazin në kohët e arta të Europianit, dhe trajner i Kombëtares shqiptare U-19. Gjithçka do të varet vetëm nga ai”.
PANORAMASPORT.AL