Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka kërkuar nga Komisionerët Publikë që të ankimohet evdnimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurores Elizabeta Imeraj, e cila drejton aktualisht Prokurorinë e Tiranës.
Në dokumentacionin dërguar Komisionervë publikë nënvizohet se “në gjykimin e ONM-së, vlerësimi i duhur i fakteve dhe rishqyrtimi i të dhënave dokumentare do të bëjë që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të rrëzojë vendimin e KPK-së dhe ta shkarkojë nga vazhdimi i mëtejshëm i detyrës”.
Ndër argumentat që mbështesin rekomandimin për ankimin e vendimit të KPK në favor të prokurores Imeraj, ONM-ja përmend dhe një çështje që përfaqësuesit e saj e kishin ngritur dhe gjatë procesit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Sipas ONM-së, për ish bashkëshortin dhe ish kunatin e saj, “ka të dhëna të forta se janë dënuar për Trafikim të qenieve njerëzore dhe organizim prostitucioni në Romë të Italisë në vitin 2002”.
Imeraj e ka hedhur poshtë një fakt të tillë duke pretenduar se bëhet fjalë për dy persona të tjerë me të njejtët emra. Por sipas ONM-së koincidencat janë të mëdha, pasi “në rastin e ish bashkëshortit bëhet fjalë për datë lindje dhe muaj lindje të njejtë, ku ndryshon vetëm viti, ndërsa në rastin e ish kunatit të njejtën datëlindje si sosia e tij”.
Por pretendimi i ONM-së për trafikimin e qenieve njerëzore duket se është i pabazë, pasi vendimi i Gjykatës së Romës tregon Agron Bajri, ish-bashkëshorti i Elisabeta Imerajt nuk ka qenë i dënuar asnjëherë në Itali.