Ish-kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, ka folur ditën e sotme për votën e emigrantëve, e cila nuk u bë e mundur në zgjedhjet e 25 prillit.
Ai tha se partitë politike nuk e lejuan votimin e emigrantëve pasi kjo nuk ishte në interesin e tyre, teksa shtoi se partitë duhet të reflektojnë dhe të tregohen të ndershme, pasi vota e emigranëtve është e mundur nëse partitë duan.
“Votimi i emigrantëve, nuk u bë sepse nuk donin partitë politike, jo sepse kishte vështirësi. Bënë sikur u morën me këtë problem, kanë arritur në përfundimin që nuk ishte në interesin e tyre vota e emigrantëve dhe e sabotuan.
Kujtojmë që komisioneri zgjedhor, ngriti grupin e punës për regjistrimin e shtetasve që ndodheshin jashtë vendit për të pasur mundësi të votonin.
Ky draft propozim shkoi tek rregullatori, por nuk u votua asnjëherë, sepse nuk donin partitë politike. Partitë politike të reflektojnë dhe të tregohen të ndershme, të ulen të punojnë për këtë gjë sepse është e mundur të realizohet nëse do të donin”, tha Kume.