Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, do të zhvillojë ditën e sotme (16 shtator) takimin e parë me bazën lidhur me vendimin e Lulzim Bashës, për ta përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së.
Berisha njoftoi ditën e djeshme, me anë të një postimi në Facebook se ditën e sotme në orën 18:00 në hotel Rogner, nis ciklin e “Foltores për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur”. Foltorja do të jetë një bashkëbisedim me demokratët që nis në Tiranë dhe do të udhëtojë në të gjithë vendin.
Anëtarët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, ditën e djeshme (15 shtator) kërkuan referendum për vendimin e përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar.
30 nga 40 anëtarët e kryesisë së FRPD-së mes të cilëve edhe Glauk Olldashi, i dorëzuan zyrtarisht kërkesën Gazment Bardhit, duke e cilësuar si veprim personal të Lulzim Bashës.
“Po ju drejtohemi, nëpërmjet këtij peticioni lidhur me situatën e pa precedent të krijuar nga vendimi personal i Kryetarit të Partisë Demokratike, për përjashtimin nga Grupi Parlamentar, i deputetit Profesor Doktor Sali Berisha,” shkruhej në shkresën e dërguar.
Pjesa më e madhe e kryesisë së forumit rinor, e dënon aktin e Bashës dhe e konsideron largimin e Berishës nga grupi i PD-së në shkelje të plotë të statutit, parimeve, vlerave të PD-së.