Ish-ministri i Jashtëm Kotzias: Ja pse Rama largoi Ditmir Bushatin

0
31
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ndryshimet në qeveri “Rama 2” nuk kanë kaluar pa u komentuar edhe nga Greqia fqinje. Pas deklaratave të pak ditëve më parë të ministrit të Jashtëm plotësues grek, ka ardhur edhe një tjetër deklaratë, kësaj here nga ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.

Gjatë një interviste për mediat greke ai ka folur për ndryshimet në kabinetin qeveritar shqiptar dhe duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek largimi i ish-homologut të tij, Ditmir Bushatit nga pozicioni i ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, me të cilin ai zhvilloi një sërë negociatash të suksesshme për zgjidhjen e problematikave që ekzistojnë mes dy vendeve tona.

Sipas Kotzias largimi i Bushatit nga kjo detyrë ka të bëj pikërisht me çështjen e Kosovës. Sipas tij Bushati kishte një qasje krejt tjetër nga ajo e kryeministrit sa i përket propozimit për korrigjimin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë. “Ditmir Bushati për mendimin tim nuk u largua sepse ishte shumë vite në krye të diplomacisë, por, sepse kishte një këndvështrim tjetër për çështjen e Kosovës, d.m.th. ishte kundër ndryshimit të kufirit dhe e dyta sepse kishim bërë këtë përpjekjen për një paketë marrëveshje”, u shpreh Kotzias. Më tej ai nuk nguron ta vlerësojë punën e Bushatit në krye të diplomacisë shqiptare, si të një njeriu të aftë dhe me personalitetin e duhur për të negociuar.

“Ishte një ministër i Jashtëm tepër i guximshëm dhe i vendosur në idetë e tij, më seriozi për të negociuar me Greqinë. Edhe pse i ri, ishte tepër i matur dhe i pjekur. E respektoj shumë për aftësitë e tij”, – shtoi më tej ish-ministri i Jashtëm grek.

Si një prej protagonistëve kryesor që negocioi me Bushatin për zgjidhjen e problemeve dhe mosmarrëveshjeve mes Greqisë dhe Shqipërisë, Kotzias shprehet se paketa e marrëveshjes ishte arritur. Por ai theksoi se ishin dy elementë që penguan finalizimin e saj, para kishte të bënte me mungesën e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri dhe e dyta me faktin se grekët nuk ishin të gatshëm të pranonin se me Shqipërinë nuk ishin më në luftë.

“Dua të them këtu se paketën e marrëveshjes e kishim mbyllur, por kishim dy probleme: I pari, Shqipëria nuk kishte Gjykatë Kushtetuese të certifikojë reformat e kryera në një sërë çështjesh. Nuk arritëm periudhën e verës, sepse u shpërbë Gjykata Kushtetuese në Shqipëri, nuk kishte lidhje me ne vonesa. Problemi i dytë, ka të bëjë me Greqinë. E kam informuar kryeministrin Cipras me detaje. Greket nuk janë të gatshëm të pranojnë ligjërisht se lufta mes Shqipërisë dhe Greqisë ka mbaruar tashmë. Nuk do flas për këtë. Kur të flas do i mësoni detajet. Por Greqia, dhe referohem në fuqitë e djathta dhe të djathta ekstremiste, duhet të bëhet serioze. Ata luajnë si patriotë dhe i vumë re se ku na drejtuan me Qipron. Pseudopatriotizmi dëmton vendin”, – tha Kotzias.

Ish- ministri i Jashtëm grek, kritikoi politikën e palës greke dhe të liderit të djathtë Micotakis, për tonet e ngritura sipas tij, në muajt e fundit në raport me Shqipërinë. Ai u shpreh se trajtimi i çështjeve me diplomaci dhe jo zënka të rëndomta vlerësohet gjithnjë më shumë duke shtuar: “Unë si Kotzias nuk do reagoja kështu me Shqipërinë. Demokracia e Re pranoi anëtarësimin në NATO dhe si vend kandidat për BE pa asnjë kusht, gjatë qeverisjes ndaj sjellja aktuale është hipokrizi nga ana e tyre. Nuk bëhet kështu politika e jashtme”, – u shpreh Kotzias.

 

Zjarr Tv Ad