Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip T. Reeker, mbërriti dje në Tiranë ku zhvilloi disa takime të nivelit të lartë, me kryeministrin Edi Rama dhe fill pas tij me kreun e opozitës Lulzim Basha, shkruan Newsbomb.
Por takimet e numrit dy të Departamentit të Shtetit vijuan dhe jo vetëm me personalitete të politikës. Reeker bashkë me ambasadoren Yuri Kim zhvilloi mbrëmë një darkë pune me disa figura nga politika dhe media gjithashtu.
E pranishme ishte dhe Edith Harxhi, e cila së fundmi kandidoi për postin e kryetares së PD.
Sot Harxhi ka zbardhur detaje nga takimi, teksa shkruan në rrjete sociale se është folur për luftën kundër korrupsionit si dhe hapjen e bisedimeve me BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shënimi i Edith Harxhit
Ishte një kënaqësi e madhe për mua të takoja dje mikun tim të mirë, Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Ambasadorin Philip Reeker dhe Ambasadoren e nderuar Yuri Kim dhe të flisja për zhvillimet në Shqipëri, luftën kundër korrupsionit dhe një shtet demokratik funksional në Shqipëri. Ne gjithashtu diskutuam dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe urgjencën për të parë hapjen e bisedimeve të pranimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ambasadori Reeker është një nga ekspertët më të mirë në Ballkan që nga marrëveshja e Rambouillet!