Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se zgjedhja e Presidentit është një prej momenteve më solemne të legjislaturës parlamentare dhe një funksioneve kushtetuese që bazohet në frymën e bashkëveprimit dhe të sensit të përgjegjësisë.
Mbi këtë bazë, ISP apelon partitë politike parlamentare të kontribuojnë për një proces me integritet, transparent, të besueshëm dhe legjitim për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
ISP mirëpret deklarimet se kandidati nuk do të jetë nga legjislatura aktuale, por njëherësh sugjeron që zgjedhja të mos përfshijë as prurjet nga strukturat drejtuese në partitë politike, të mos jetë individ i përfshirë në skandale dhe akte korruptive, të mos jetë nën hetim dhe të mos i përkasë kategorive të ndaluara të dekriminalizimit dhe ish nomenklaturës.
Presidenti duhet të gëzojë besim publik dhe integritet mbipartiak. Jeta institucionale, akademike dhe publike në Shqipëri ka individë që i gëzojnë këto cilësi.
Në këto momente ISP apelon Kuvendin për një qasje institucionale të procesit, duke vendosur institucionin dhe interesin publik mbi agjendat ditore të partive politike. ISP nxit mazhorancën të iniciojë dialog dhe të dëshmojë vullnet real për vendimmarrje mbipartiake, si dhe opozitën të kontribuojë në mënyrë konstruktive në jetësimin e procesit.
Dy grupet e mëdha kanë mbi 20 deputetë, kufiri minimal për propozimin e kandidatëve për President, ndaj secila palë politike duhet të bashkëveprojë me dialog e konsensus ose në mungesë të tij, të ushtrojë me integritet dhe transparencë të drejtën kushtetuese për kandidat/ë mbështetës.
Procesi meriton solemnitet, Shqipëria ka nevojë për një President që përfaqëson unitetin dhe sfidat e të ardhmen