Presidenti italian, Serxho Matarela, u ka lënë grupimeve politike 4 ditë kohë për të formuar një koalicion qeverisës, para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Në kuadër të konsultimeve që sapo përfunduan, disa parti kanë kërkuar më shumë kohë për gjetjen e kompromiseve politike që do të garantonin një mazhorancë të fortë në parlament. Konkluzionet e mia do i nxjerr pas konsultimeve që nisin të martën e ardhshme,” deklaroi kreu 78-vjeçar i shtetit pas takimeve dyditore me liderët e partive kryesore në vend.
Kriza politike në Itali e krijuar nga krisja e aleancës qeverisëse “Lëvizja 5 Yjet” dhe Partia Lidhja çoi të martën në dorëheqjen e kryeministrit Xhuzepe Konte.
Një ditë më parë, zv.kryeministri dhe njëkohësisht kreu i “Lidhjes”, Mateo Salvini, përsëriti idenë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja që populli të vendosë vetë cila parti duhet ta qeverisë për 5 vitet e ardhshme.
Ky qëndrim u mbështet nga ish-kryeministri i “Forca Italias”, Silvio Berluskoni.
Ndërkohë, zv.kryeministri tjetër, Luixhi Di Maio, i partisë “5 Yjet”, sugjeroi se mund ta ndajnë pushtetin me opozitën, përkatësisht me Partinë Demokratike, nëse u plotësohen 10 kërkesa të panegociueshme, ku prioritet mbetet shkurtimi i gati 350 ligjvënësve nga parlamenti.
Përndryshe, në rastin e zgjedhjeve të reja, sondazhet tregojnë se Partia “Lidhja” e Salvinit do të dilte forca e parë politike.