Izrael, kërkohet qeveri uniteti

0
2

ryeministri izraelian Benjamin Netanjahu nuk ka arritur të fitojë një shumicë qeverisëse në zgjedhjet e së martës. E vetmja mundësi mbetet formimi i aleancave me partitë rivale, të cilat duket se do të kërkojnë që ai të heqë dorë nga karrigia e ekzekutivit pas 13 vitesh.

Zgjedhjet e parakohshme në Izrael ende nuk kanë nxjerrë një fitues të qartë, por mund të largojnë kryeministrin Benjamin Netanjahu nga ekzekutivi.

Eksitpollet tregojnë se partia “Likud” e kreut të qeverisë tashmë në vitin e 13-të në pushtet, parashikohet të fitojë deri 33 nga 120 mandatet e parlamentit izraelian, ndërsa aleanca opozitare “bardheblu” e ish-shefit të ushtrisë, Beni Ganc, një mandat më shumë.

Në daljen e tij pas mbylljes së votimeve, Netanjahu nuk mbajti një fjalim fitoreje dhe as e pranoi disfatën, duke thënë se do të priste rezultatet zyrtare.

“Izraeli ka nevojë për një qeveri të fortë, të qëndrueshme dhe hebraike, jo një qeveri që përkrahet nga partitë arabe antihebraike,” u shpreh kreu në detyrë i ekzekutivit.

“Ne e kryem misionin tonë. Mund të themi se në bazë të rezultateve, Netanjahu nuk ia ka dalë mbanë. Ndaj sot punojmë për të formuar një qeveri uniteti për shumicën e shoqërisë,” u shpreh me optimizëm rivali i tij, Ganc.

Nga partitë e vogla, grupimi arabo-izraelit pritet të fitojë 13 vende, partitë ultraortodokse dhe judaiste 9 mandate, ndërsa grupimet ultradjathtiste dhe majtiste me nga 6 dhe 5 mandate secila.

Partia e nacionalistit Avigdor Liberman po komentohet si kingmejkëri i qeverisë së ardhshme me 9 mandatet e veta.

Ish-ministri i mbrojtjes tha të martën se ideja e tij është themelimi i një koalicioni qeveritar që përfshin edhe dy partitë kryesore të Netanjahut dhe opozitarit Ganc, në të kundërt opsioni i vetëm janë zgjedhjet e reja.