Zgjedhjet e 6 Marsit i gjejnë demokratët të përçarë, pasi një pjesë e tyre janë rreshtuar me kryetarin Lulzim Basha, ndërsa të tjerë me liderin historik Sali Berisha.
Në bastionin e demokratëve, Bashkinë e Shkodrës, duket se do të zhvillohet edhe beteja më e ashpër politike mes dy kandidatëve të dalë nga demokratët, Xhemal Bushati i PD dhe Bardh Spahia i “Shtëpisë së Lirisë”.
Të dy kandidatët janë shkodranë të vjetër, por e kundërta ndodh me drejtuesit politikë të PD-së dhe “Shtëpisë së Lirisë” në këtë qark. Lulzim Basha vendosi të emërojë Enkelejd Alibeajn pas largimit të Helidon Bushatit, ndërsa Sali Berisha ka emëruar Arben Imamin që të ndjekë fushatën në Shkodër.
Alibeaj, i lindur në Fier, është një nga njerëzit më të besuar të Bashës, të cilit kryedmeokrati i ka besuar drejtimin e Grupit Parlamentar, por e ka emëruar edhe nënkryetar të PD-së. Ndërkohë, Arben Imami, i lindur në Tiranë, është një politikan i vjetër, i cili ka shërbyer edhe si Ministër i Mbrojtjes në mandatin e dytë të qeverisë Berisha (2009-2013).
Pra, si Basha dhe Berisha nuk ua kanë besuar shkodranëve drejtimin e fushatës në Shkodër, por kanë zgjedhur dy “jabanxhinj, të cilët do t’u flasin qytetarëve shkodranë për t’i bindur të votojnë kandidatët e tyre. Tashmë pritet 6 Marsi, për të parë se cili prej tyre do ia dalë të sigurojë më shumë vota.