Ish-deputetja demokrate Rudina Hajdari është ndër politikanët e shumtë që kanë reaguar sot për tragjedinë e ndodhur në Himarë, ku një 7-vjeçare u godit për vdekje nga një gomone që kryente manovra buzë detit.
Hajdari thotë se shoqëria shqiptare duhet të reagojë dhe të solidarizohet me fatkeqësinë e tjetrit pasi realiteti ka treguar se tolermimi e “sjell atë te dera jonë”.
“Nëse ne revoltohemi dhe nuk tolerojmë, sado e korruptuar, e paaftë dhe pa busull të jetë një qeveri do detyrohet të ndërhyjë”, shkruan ajo në rrjetet sociale.
Reagimi i Hajdarit:
Jam e shokuar per tragjedinë në Potam. Ngushëllime familjes dhe ëngjëlli i vogël u prehtë në paqe!
E shokuar si nënë, sepse as e imagjinoj dot se si ndihet sot mamaja e ëngjëllit të vogël teksa i duhet ta qajë e jo ti gëzohet krijesës së saj të pafajshme.
E shokuar si qytetare e këtij vendi teksa ndiej se shpesh jeta në këtë vend është kaq e pasigurtë për fëmijët tanë dhe duket sikur të gjithë si shoqëri e vrasim pak mendjen për këtë fakt.
Është fakt që mjetet lundruese, skafe apo jet ski në këtë vend s’kanë aspak kontroll e po ashtu është fakt që shumë prej këtyre mjeteve ngiten edhe nga njerëz të inkriminuar, pa dhembshuri për jetën e tjetrit.
Kjo duhet të marrë fund!
Ne si shoqëri duhet të ngremë të parët më shumë zërin e të solidarizohemi me fatkeqësinë e tjetrit sepse realiteti na mëson çdo ditë se tolerimi na e sjell atë shpejt te dera jonë.
Nëse ne revoltohemi dhe nuk tolerojmë, sado e korruptuar, e paaftë dhe pa busull të jetë një qeveri do detyrohet të ndërhyjë.