Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka mbështetur protestën e pedagogëve, të cilët kërkojnë rritje page.
Tabaku, në një reagim në Facebook, shprehet se “pedagogët punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe se me dështimin e reformës në arsim, ata sot pothuajse janë lënë në mëshirë të fatit, ku ju duhet që të sigurojnë vetë fondet edhe për mbarëvajtjen e universitetit.”
Deputetja demokrate theksoi se qeveria shqiptare duhet të kishte investuar, për t’i mbajtur të talentuarit këtu, pedagog të rinj e të vjetër, të cilët sipas saj, sot po shohin si alternativë largimin.
Reagimi i Jorida Tabakut
Dhjetëra kolegë të Fakultetit të Ekonomisë, kolegë dhe bashkëpunëtore të mitë deri para pak vitesh, sot i janë bashkuar protestës së gjithë pedagogëve në të gjithë Shqipërinë. Një protestë e drejtë, e cila merr parasysh situatën ekonomike në të cilën ndodhet vendi.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, çmimet janë rritur nga 14% deri në 30%, karburanti është rritur; arsimi ka qenë një ndër sektorët më të nën financuar dhe sa herë që qeveria ka nevojë për fonde, për koncesione dhe PPP, burimi kryesor ku I merr këto fonde është shkurtimi I fondeve për arsimin.
Sot pedagogët janë duke protestuar sepse pagat e tyre nuk kanë ndryshuar që nga viti 2017. Nga viti 2017, kur një vendim i Këshillit të Ministrave përcakton nivelin e pagave, pjesa më e madhe e të gjithë sektorit publik, pati një ndryshim në pagat e tyre. Ndërkohë që kjo nuk ka ndodhur për pedagogët.
Sot pedagogët punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Me dështimin e reformës në arsim, ata sot pothuajse janë lënë në mëshirë të fatit, ku ju duhet që të sigurojnë vetë fondet edhe për mbarëvajtjen e universitetit.
Ata sot konkurrojnë në një treg të lirë sikur janë byrektore me universitetet private dhe nga ana tjetër kanë një mbështetje minimale qoftë për kërkimin shkencor, ka një mbështetje minimale qoftë për punimet e tyre të doktoraturave, për pagesat të cilat duhen për kërkimet shkencore për t’u publikuar në universitete ndërkombëtare dhe për shumë aktivitete të tjera.
Unë besoj që arsimi duhet të ishte prioriteti I çdo qeverie, pavarësisht në qoftë se është e majtë apo e djathë! Besoj që në qoftë se nuk investojmë sot në arsim, nesër do të jetë shumë vonë, ashtu siç është vonë dhe sot në fakt. 30.000 studentë më pak ka pasur sistemi arsimor. Sot kemi klasa që janë të braktisura dhe kjo ka ndodhur si rezultat I mungesës së vëmendjes në arsim, si rezultat I investimit në cilësinë e mësimdhënies në të gjitha nivelet, po në atë universitar kryesisht.
Sot të rinjtë largohen masivisht dhe arsyeja kryesore pse largohen është arsimi, janë mundësitë e pakta që ato kanë. Sot qeveria shqiptare duhet të kishte investuar në lidhjen e tregut të punës me universitetet, në përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së universiteteve, në ngritjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së universiteteve. Por ajo çfarë është më e rëndësishmja, për t’i mbajtur të talentuarit këtu, pedagog të rinj e të vjetër të cilët sot po shohin si alternativë largimin.
Unë I mbështes të gjitha kërkesat e tyre të drejta për rritjen e pagës. E mbështes njëkohësisht edhe përpjekjen e tyre për ta bërë këtë në një protestë paqësore. E mbështes shqetësimin që sot duhet të financohet kërkimi shkencor. E mbështes arsimin në të gjitha nivelet, por ajo çfarë është më e rëndësishmja, I mbështes të gjithë kolegët e fakultetit tim të Ekonomisë dhe të gjithë fakulteteve të tjera që në kushte të vështira sot po përballen me sfida të jashtëzakonshme në arsimin e lartë.