Ish-presidenti Bamir Topi është shprehur se kryeministri Edi Rama e ka rritur dozën e gabimeve gjatë qeverisjes së tij.
Komentet Topi i bëri gjatë një interviste për News 24, ku tha se pushteti nuk e vjedh votën 2 herë në të njëjtën mënyrë, pra sipas tij qeveritarët janë kthyer në profesionistë të rrëmbimit të votës së shqiptarëve.
Ai shtoi se Rama ka deformuar gjithë sistemin në Shqipëri, duke shtuar se ai nuk akuzohet vetëm për një ditë ose për një vepër korruptive, por çdo ditë dalin të fhëna të reja për korrupsionin në qeverinë e tij.
“Kuptohet që në një opozitë të përçarë, kur pushteti ka gjithçka, kur pushteti nuk e vjedh votën 2 herë në të njëjtën mënyrë, pra janë profesionistë në mënyrën si e rrëmbejnë votën. Faji nuk shikohet vetëm tek politika, por edhe te shoqëria. Ti ke njerëz që janë të fiksuar pas partisë në pushtet. Ka një kategori tjetër, që ose bëjnë debatin në kafene, ose fshihen në qëndrimet e tyre.
Në të gjithë botën, politika rigjenerohet nga shoqëria civile. Këtu shoqërinë civile e ka në xhep qeveria. Këtu është deformuar gjithçka. Këtu Edi Rama nuk akuzohet vetëm për një ditë, por këtu ka një intension për të rritur dozën e gabimeve.
Rama ka garanci te vetja sepse i ka nënshtruar të gjithë. Disa i ka nënshtruar me shantazh, dis ai ka blerë, etj. Unë shikoj që kjo media, pra media në përgjithësi, i mbulon çështjet, krijon kakofoni mes individëve. Sot janë vetë opinionistët që pranojnë që paguhen nga politika”, u shpreh Topi.