Kryeministri Edi Rama është shprehur se siguria në Shqipëri gjatë këtij viti, ka qenë në nivelet më të larta në 30 vite.
Komentet Rama i bëri gjatë fjalës së tij në konferencën për prezantimin e bilancit turistik veror.
Rama tha se gjatë këtij viti janë regjistruar 40 % më pak vrasje se në vitin e kaluar dhe po ashtu, Shqipëria ka zënë vendin e fundit për vjedhje banesash në Europë.
Sipas Ramës, kur disa shqiptarë janë pyetur për këtë, ata kanë thënë se “këtu njerëzit nuk kanë bukë të hanë, prandaj nuk ke ça t’u vjedhësh”.
Ai tha se vendin e parë për vjedhjet e banesave e ka zënë Anglia dhe kur atje janë pyetur lidhur me këtë fenomen, sipas Ramës qytetarët janë përgjigjur: “Kanë ardhur shqiptarët këtu prandaj ka kaq shumë vjedhje”.
“Në një vend nuk mjafton të tërheqë bukuria e imazheve që shfaqen në revista, duhet garancia e sigurisë, nëse nuk e jep, ndodh siç ndodhte dikur. Këtë vit kemi pasur nivelin më të lartë të sigurisë në 30 e kusur vitet e fundit, minus 40 % vrasje krahasuar me vitin e kaluar, që ishte viti më i mirë. Këtë vit Shqipëria i ka befasuar të gjithë pasi barometri Europian e nxori vendin e fundit në kontinent për vjedhje shtëpie. Vendi kampion, Anglia. Disa miq që erdhën, na bënë për të qeshur, sepse e kishin parë këtë gjë dhe ishin habitur. Kishin pyetur këtu, që si shpjegohet kjo? Po ça do vjedhin këtu, sepse këtu njerëzit s’kanë bukë për të ngrënë. Ndërsa në Angli kishin marrë këtë përgjigje “Kanë ardhur shqiptarët këtu prandaj ndodhin vjedhjet”. Të huajt që kanë ardhur për herë të parë, e tregonin si mbreslënëse.
Mua sa më kanë thënë nga ata që kam takuar, që kam ecur pas mesnate në Tiranë me gruan dhe s’ndieja asgjë. Ky që ma thoshte vinte nga Parisi, një tjetër vinte nga një tjetër qytet europian të vjedhjes së orës nga dora. Shqipëria ka qenë një vend, që artikujt që prodhoheshin për të, ishin artikuj për papastërti. Shqipëria sot dhe çdo vit është më e pastër, falë edhe shefes së fshesaxhinjve të Shqipërisë. Tjetra është aksesi në infrastrukturë, që është sot më mirë se asnjëherë më parë. Hoteleria është më mirë se asnjëherë më parë. Ne kemi një sektor të turizmit ku ka shumë pasion dhe njëkohësisht një pjesë e operatorëve që udhëheqin sektorin, janë sot çdo vit e më shumë me më shumë eksperiencë. Kjo i sjell vendit një impakt që shkon përtej një sipërmarrjeje.
Këtë vit ka ndodhur një fenomen i ri, fenomeni i marrjes me qira të shtëpive përmes AirBNB. Sot kemi miliona turistë edhe për faktin se nuk është më si më parë, duke nisur nga Tirana, nuk është më një ofertë e kufizuar, por një ofertë mjaft e gjerë. Ka ndodhur një lidhje e proceseve të ndërtuara në drejtime të ndryshme, që nga punët e brendshme, te pushteti vendor dhe gjërat e lidhura kanë nisur të krijojnë një impakt së bashku. Këto kanë bërë që edhe bukuria e vendit, larmia e bukurisë së vendit, të jetë shumë e ekspozuar, sepse është shumë e aksesueshme”, është shprehur Rama.