Është larguar nga detyra shefi i komisariatit Pogradec Niko Palla, si dhe ai i komisariatit Korçë Florian Dano. Në vend të Niko Pallës, është emëruar Artur Ebaj dhe në vend të Florian Dano, u emërua Krenar Gjokutaj, ndërsa mbeten mister aresuet e këtyre lëvizjeve.
Këto ndryshime, vijnë një ditë pas atyre të ndodhura në Komisariatet e Elbasanit, Dibrës dhe Kukësit, të njoftuara gjatë ditës së djeshme nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Të tre drejtuesit e shkarkuar dje, mësohet se janë transferuar në drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit, por nuk janë specifikuar pozicionet që ata do të kenë.
“Skënder Kalemi, deri tani Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, transferohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vend të tij emërohet zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Policisë Vlorë, Artur Selimi.
Arjan Muça, deri tani Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, transferohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vend të tij emërohet Alket Shatro.
Erigert Mitri, deri tani Drejtori i Drejtorisë Vendore të DVP Kukës, transferohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vend të tij emërohet Drejtori i DVP Kukës Alban Çela”.