Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci zbulon statistikat e nxjerra nga ky sektor përgjatë vitit të parë të VAR-it në Shqipëri. Gjithashtu, Jareci vlerëson punën e jashtëzakonshme të bërë nga arbitrat dhe asistentët përgjatë këtij sezoni, ndërsa tregon edhe problematikën kryesore të këtij edicioni të sistemit VAR dhe çfarë duhet përmirësuar në sezonin e ardhshëm.
“Si vit i parë, por edhe përpara fillimit të implementimit, puna ka qenë e jashtëzakonshme, që ka marrë rreth 1 vit e gjysmë edukim të arbitrave, teorik, por edhe praktik në fushë, deri në momentin kur testi zyrtar ishte ai i Superkupës së Shqipërisë dhe që vazhdoi më pas me implementimin e këtij sistemi në Abissnet Superiore. Si vit i parë, jemi të kënaqur, jo vetëm ne si Sektor, por ajo që është më kryesorja, ekipet, lojtarët, stafet e ekipeve, por edhe i gjithë komuniteti që ndjek futbollin shqiptar. Pritshmëritë tona nuk ishin për kaq pozitivitet në implementim që në vitin e parë.
Kjo tregon një punë të jashtëzakonshme të bërë nga arbitrat dhe asistentët, që nga momenti i trajnimit të parë teorik, deri te trajnimet në fushë. Ne kishim një eksperiencë të parë, kemi gati tre ose katër vite që ndjekim kampionatet e huaja, ku ky sistem është implementuar. Kishim njohuri në lidhje me protokollin e sistemit VAR. Edhe arbitrat kishin njëfarë njohurie, por që ishin në aspektin e të parit futboll, ndërsa pjesa tjetër e të funksionuarit ishte diçka e re, e cila të krijon stres dhe ky stres ndikon edhe në vendimmarrje. Por puna e arbitrave dhe asistentëve ka qenë pozitive”.
“Do të doja të ndalesha edhe në disa statistika që ne si Sektor kemi për Sistemin VAR gjatë vitit të parë. Fillimisht, dua të ritheksoj edhe njëherë që ky sistem bën kontrollin e çdo situate kur shënohet gol, kur kemi një penallti të dhënë, një karton të kuq të dhënë apo të padhënë dhe pozicionet offside.
Statistikat që ne kemi nxjerrë:
– 459 incidente të kontrolluara nga Sistemi VAR (46 penallti, 37 kartona të kuq dhe 376 gola, të gjitha të kontrolluara nga VAR-i)
– 103 korrigjime të vendimeve nga Sistemi VAR (46 penallti, 37 kartona të kuq, 20 gola)
– 59 ndërhyrje ose rishikime në fushë nga ana e arbitrave (52 kthime të vendimit të arbitrit, kur ai shkon në monitorin e fushës dhe e rikthen vendimin e tij dhe 7 konfirmime të arbitrit në vendimin e tij, ku edhe pse është dhënë mundësia për të riparë vendimin në fushë, në 7 situata të tilla, arbitri ka mbajtur vendimin e tij)
– VAR-i është përfshirë në 43.7% të rasteve
– VAR-i nuk ka ndërhyrë në 27 ndeshje të kampionatit
– Nuk e kemi pasur sistemin VAR në finalen e Kupës dhe në ndeshjen e play-out.”
“Ajo që mbetet problematika numër 1 e sistemit VAR në vitin e parë ka qenë marrja e kohës në dhënien e vendimmarrjes. Koha ka qenë shumë e madhe dhe këtu na lind detyra që të bëjmë punë me arbitrat dhe asistentët për të reduktuar kohën në vendimmarrjen e Sistemit VAR, por edhe në kohën e vendimmarrjes së arbitrit në monitorin e fushës” ka perfunduar Jareci.