Java e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, portretet e 333 njerëzve të zakonshëm vendosen në sheshin “Skënderbej”

0
7
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Java e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, ka hapur siparin në Tiranë, me një ekspozitë befasuese ku protagonistë janë vetë shqiptarët.

Portretet me përmasa gjigante të 333 njerëzve të zakonshëm u vendosën në sheshin “Skënderbej” duke tërhequr kërshërinë e qytetarëve që mund të gjenin midis tyre fytyrat e të njohurve, miqve, të afërmve apo edhe të vetvetes.

Ekspozita “We the peoples”, vepër e artistit të ri David Cuka është vetëm një pjesëz e një koleksioni të madh me 999 portrete shqiptarësh me të cilat ai dokumenton imazhe, gjendje e veprime të jetës së përditshme të qytetarëve, të rinjve e pjesëtarëve nga bashkësi të çdo kategorie, të cilët popullojnë e përbëjnë shoqërinë tonë të shekullit XXI.

Secila foto, e ndërlidhur me të gjitha të tjerat është pjesë e një sistemi organik që vepron si një i vetëm duke dhënë jo vetëm nga ana figurative, mesazhin se fytyra e Kombeve të Bashkuara është ajo që përftohet kur bashkohen fytyrat e të gjithë qytetarëve që përbëjnë kombet e saj.

Pranë ekspozitës, përfaqësues të agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri kanë ndarë me të pranishmit mesazhe mbi rolin e këtij institucioni të madh mbarëbotëror, ku Shqipëria është anëtare prej vitit 1947, e së fundi përkohësisht edhe pjesë përbërëse e Këshillit të Sigurimit, organit më të lartë vendimmarrës të OKB.

Përgjatë javës së Kombeve të Bashkuara është menduar që të dëshmohet sa më mirë afërsia e kësaj organizate globale, me qytetarët prej të cilëve ajo rrjedh, e të cilëve ajo u shërben.

Aktivitetet do të jenë të shumta e do të zgjaten përgjatë gjithë javës e territorit, duke udhëtuar përveç Tiranës edhe në qytete të Shqipërisë si Durrësi, Përmeti e Puka.

Ekspozita “We the Peoples” do të qëndrojë hapur çdo ditë, ku pas sheshit “Skënderbej” do të vendoset edhe në sheshin “Italia” pranë stadiumit Air Albania. Nje pjese e ekspozites do të udhëtoje disa qytete të Shqipërisë ghatë javës së kombeve të bashkuara. (Puke dt 26, Përmet Dt 27 Tetor dhe Durrës Dt 28 Tetor).

Linku i videos:

Zjarr Tv Ad