Presidenti Ilir Meta u vlerësua me “Urdhrin për Merita Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut” nga Federata Ndërkombëtare e Organizatave të Dhuruesve të Gjakut.
Në ceremoninë e zhvilluar pasditen e sotme në Presidencë, ishte i pranishëm Presidenti i IFBDO, z.Gian Franco Massaro i cili u shpreh se kreu i shtetit shqiptar është një ndër politikanët e vetëm në botë që jep shpirtin për kauzën e dhurimit të gjakut.
Massaro tha se po mendohet që vitin e ardhshëm, Federata Ndërkombëtare e Organizatave të Dhurimit të Gjakut ta zhvillojnë mbledhjen e radhës në Shqipëri.
“President Ilir Meta, ju jeni ndër të vetmit politikanë në botë, që jepni shpirtin për kauzën e dhurimit të gjakut dhe unë mbas këtij takimi do shpërndaj shembullin tuaj unik në përfaqësuesit e institucioneve në të gjithë botën. Për këtë arsye ne po mendojmë që vitin e ardhshëm të organizojmë pikërisht në Shqipëri mbledhjen e radhës së Federata Ndërkombëtare e Organizatave të Dhuruesve të Gjakut (IFBDO). Presidenti Meta përveçse është një dhurues vullnetar periodik i gjakut është një shembull unik në botë, në radhët e politikanëve. Për këtë arsye por edhe për shumë të tjera kemi vendosur në unanimitet të nderojmë Presidentin Meta me “Urdhrin për Merita Ndërkombëtare të Gjakut”, tha Massaro.