Jozefina Topalli, ishte e ftuar në emisionin “Historia ime”, ku ka rrëfyer për jetën private, fëmijërinë dhe karrierën e saj në politikë.
Kryetarja e partisë “Lëvizja për ndryshim”, ka treguar se kur ishte e re, nuk i dhanë mundësinë e shkollës, pasi familja e saj kishte një emër të keq në atë kohë, kështu u detyrua të punojë në bujqësi tek stacioni i misrit.
“Mbillja, rralloja, mbaja thasë që shkarkoheshin me misër, të gjitha punët e bujqësisë që kanë ciklin e vetë, nga pranvera deri në vjeshtë ishim në fushë dhe gjatë muajve të dimrit në fusnin brenda nëpër magazina për punët e tjera. Viti i parë ishte më i vështirë, kur na jepnin rreshtat për të rralluar etj etj, ato zonjat e fshatit e bënin shpejt e shpejt rreshtin dhe unë mbetesha në fund, ato ishin aq të mira sa ktheheshin me ndihmonin për të mbaruar rreshtin dhe më thoshin, hajde mos u mërzit. Ka qenë një eksperiencë që më ka dhënë mundësi për të kuptuar jetën e fshatit në atë kohë, pavarësisht se ne ishim të varfër, ata të fshatit ishin eksremisht të varfër”, ka thënë Topalli.
“Vitin e parë unë e laja me lot tokën ku punoja. Pastaj fillova të adaptohesha, kur nuk ke asnjë mundësi tjetër, ti je e detyruar që të bësh çdo gjë për të ndihmuar familjen. Do kujtoj një moment që më vjen të qesh tani por në atë kohë e kisha hall të madh. Kur shkova në bujqësi unë mora një kapele dhe ato më thanë hiqe kapelën, do marrësh një shami të bardhë sepse dielli të dëmton fytyrën se do punoje 8 orë aty. I thashë jo shami nuk vë në kokë, po ato gratë ishin shumë të mira, përpiqeshin që të shpjegonin se do më mbronte fytyrën. Aty refuzova dhe vazhdoja të mbaja kapelën time, e ato më shihnin me çudi. Një ditë të bukur na tha ai që ishte brigadier, hipni në karrocë që ishte me kalë dhe do shkonim në disa parcela që ishin në një fshat tjetër. Do i binin nga qyteti për të shkuar dhe ajo ishte tmerr për mua sepse thashë do më shohin në qytet me karrocë më kalë. Thashë o zot inshallah po bie shi që të ul kapelën që mos më njohin aty. Tani më vjen për të qeshur, kur i kujtoj gjërat e tilla por ashtu ishte koha”, kështu është shprehur Jozefina Topalli.